Tahiri: Kemi rritur punën në sfidat që na presin në rrugën evropiane
Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për t’i fuqizuar komponentët e nevojshme që mundësojnë sundim të rendit dhe të ligjit.
Në këtë kontekst, ai nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka shkruar se ka njoftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) për hartimin e politikave që ndërlidhen me sundimin ligjit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke nxitur një moment tejet të rëndësishëm, ku përpjekjet për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe për të vazhduar rrugën e padiskutueshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian, janë më të mëdha se kurrë më parë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka treguar se gjatë kësaj jave ka takuar përfaqësues të Komitetit të Bashkimit Evropian për Aspekte Civile të Menaxhimit të Krizave, ku ka konfirmuar se institucionet e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, janë të përkushtuara për të fuqizuar komponentët e nevojshme që mundësojnë sundim të ligjit, avancim të të drejtave të njeriut dhe qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët.
Ministri Tahiri ka bërë me dije se në pesë muajt e fundit si ministri kanë dinamizuar punën dhe kanë rritur masat për t’i adresuar sfidat që dalin nga Raporti i Progresit si dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE).
Ai ka thënë se kanë sponzoruar në Kuvendin e Kosovës, projektligje që mundësojnë efikasitet më të lartë dhe vendimtar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kanë prioritizuar ligje të reja që mundësojnë sundim efikas të ligjit dhe sistem të besueshëm të drejtësisë.
“Të gjitha këto masa, do të sigurojnë integritetet në institucionet e sistemit të drejtësisë por edhe do të shërbejnë në agjendën tonë integruese. Përmbushja e obligimeve të ARE-së përmes dy projektligjeve dhe një koncept dokumenti, draftimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, vendosja në agjendën e Kuvendit për miratim të pakos së ligjeve të gjyqësorit, si dhe ndryshimet që janë duke u bërë aktualisht në Pakon e Ligjeve kundër Korrupsionit, janë dëshmi mbi të cilën progresi për përmbushjen e kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve është i qartë dhe i matshëm”, ka thënë ai.
Ministri Tahiri ka theksuar se Republika e Kosovës ka nevojë për mbështetje të BE-së dhe vendeve anëtare, në mënyrë që qytetarët tanë, të jenë pjesë e mundësive të barabarta që ofron Bashkimi Evropian, duke filluar nga lëvizja e lirë.