Tahiri kërkon mbështetje nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në Konferencën e Hagës
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka hapur të mërkurën punimet e Konferencës dypalëshe të organizuar nga kjo ministri në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Francës në lidhje me çështjet e bashkëpunimit juridik në çështje civile.
Tahiri në fjalën hyrëse të tij në këtë konferencë, ka kërkuar nga Republika e Francës të intensifikojë përpjekjet për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Konferencën e Hagës dhe aderimin në Konventat e Hagës.
Fjala e plotë e Tahirit:
Republika e Kosovës është shteti më i ri në rajon dhe më gjerë, por për vetëm 11 vite të shtetësisë, ka arritur të kapë trendin e zhvillimeve, e në raste specifike edhe të tejkalojë vendet e rajonit në raport me obligimet ndërkombëtare.
Kosova, me institucionet e saj të drejtësisë dhe punën që ka bërë me theks të veçantë gjatë dy viteve të fundit në bashkëpunimin juridik penal, është dëshmuar se nuk do jetë asnjëherë adresë e strehimit të njerëzve që kanë rënë ndesh me ligjin dhe as nuk do t’i amnistojë individët që dyshohen për vepra penale jashtë vendit.
Por krahas suksesit që po shënojmë në bashkëpunimin juridik në çështje penale, si shoqëri dhe si shtet, po lëvizim gradualisht drejt integrimeve ndërkombëtare e evropiane, përballë të cilave, e në radhë të parë përballë vetë qytetarëve tanë, duhet të marrim përsipër funksionimin e ligjit edhe në çështjet civile.
Prandaj, trajtimi i bashkëpunimit juridik në çështje civile është dhe do jetë prioritet i institucioneve tona në periudhën vijuese.
Kjo konferencë si dhe përmbajtja e punimeve që do shtrohen këtu, synon ta rrisë dhe përmirësojë praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile, nga çështjet më madhore e deri ato më specifike.
Ministria që unë drejtoj shpreh gatishmërinë për thellimin dhe përmirësimin e mëtejmë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Francës çka do të kontribuonte dukshëm dhe do ta lehtësonte ekzekutimin e suksesshëm të kërkesave tona të ndërsjella për ndihmë juridike.
Me këtë rast dua të rikthej në vëmendjen tonë një çështje tepër të rëndësishme që është e nevojës të shtrohet në agjendën politike e institucionale ndërkombëtare sa i përket bashkëpunimit juridik.
Krahas bashkëpunimit bilateral me vendet që mbi të gjitha kanë interes drejtësinë, është koha dhe është e nevojshme që të intensifikohen përpjekjet tona për t’u anëtarësuar në Konferencën e Hagës dhe për të aderuar në Konventat e Hagës që janë në interesin tonë reciprok.
/Epoka e re/