Tahiri kërkon nga qeveria të mobilizohet kundër dhunës seksuale
Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar nga qeveria të mobilizohet sa i përket shqyrtimit të fenomeneve të rrahjes, bullizmit, abuzimeve seksuale dhe psikologjike në shkolla.
Ky reagim i tij ka ardhur pas dyshimeve për abuzim seksual të një të miture në një shkollë të Prishtinës, shkruan “Epoka e re”.
“Trekëndëshi, shkollë (institucione) – nxënës – prind, është dobësuar, duke sjellë probleme zinxhirore për secilin prej këtyre palëve. Mungesa e fokusit në problemet sociale (shoqërore), po na shpërfaq dukuri të pazakonta e të rrezikshme për shoqërinë. Raste si këto, nuk mund të trajtohen, veçmas nga ambienti i përgjithshëm social, reagimet në raste, nuk prodhojnë zgjidhje për sfidat që na presin si shoqëri. Shtimi i fenomeneve dhe rasteve devijante e të rrezikshme, janë prezente, e me tendencë të përhapjes”.
“Rrahjet, bullizmi, narkotikët, dhuna, abuzimet psikologjike dhe seksuale, po rrezikojnë të kthehen në fenomen. Andaj, kjo nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por e shoqërisë në përgjithësi. Andaj, mobilizimi i qeverisë, akterëve publikë e institucionalë, duhet të jetë urgjent e sistematik në adresimin e këtyre sfidave. Debati e fokusi, përtej konfrontimeve e diskursit të egër, duhet vendosur në problemet reale. MAShT VEPRO!”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.