Tahiri kërkon rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se pas investimeve që janë bërë në sektorin e drejtësisë pret rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit.
Ai ka theksuar nevojën për të avancuar edhe me tutje masat për parandalimin kësaj dukurie.
“Pas gjithë investimeve që kemi dhënë në sektorin e drejtësisë, me punësimin e 162 gjyqtarëve të rinj dhe dhjetëra profesionistëve tjerë, rritjen e pagave si dhe miratimin e legjislacionit jetik të kësaj fushe, ne presim rezultate konkrete nga institucionet ligj-zbatuese në luftën kundër korrupsionit. Në debatin e sotëm në kuadër të ‘Javës kundër korrupsionit’ në Kuvendin e Kosovës, kam theksuar po ashtu nevojën që për të avancuar edhe me tutje masat për parandalimin kësaj dukurie”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ministri Tahiri ka bërë me dije se miliona euro nga buxheti i Kosovës do të kursehen me zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
“Ndërsa në gjashtë muajt në vijim, do të rishikojmë me kujdes edhe listën e atyre që deklarojnë prejardhjen e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupsionit, për të zgjatur këtë obligim edhe tek mjekët, profesorët universitar si dhe pozita të rëndësishme në Agjencinë Tatimore dhe në Dogana”, ka theksuar ministri Tahiri.
/Epoka e re/