Tahiri kërkon rritjen e pagës minimale dhe miratimin e Ligjit për pagat
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që sa më parë të merret vendim për rritjen e pagës minimale, e që sipas tij duhet të jetë 400 euro.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka thënë përpos pagës minimale duhet të kalojë edhe Projektligji për pagat.
“Ngritja e pagës minimale duhet të kalojë prej diskutimeve në tryeza. Kërkesa jonë ka qenë që paga jonë të jetë 400 euro. Dhe e dyta ka të bëjë me legjislacionin që e rregullon këtë temë. Lufta ekonomike nuk është nocion abstrakt, por real. Tek ne kemi një sjellje të zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, Tahiri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete, por ka thënë se Kosova është në një krizë të rëndë ekonomike.