Tahiri kërkon zhvillimin e komunave të Kosovës
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Projektligji për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronave të komunave duhet të miratohet.
Pas shqyrtimit në Komisionin për Administratë Publike, ai ka thënë se amendamentet që i bëhen këtij projektligji duhet të jenë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të komunave.
Tahiri ka bërë me dije se ky projektligji është miratuar gjatë kohës së Qeverisë së Ramush Haradinajt.
“Sot, në Komisionin për Administratë Publike me shoqërinë civile diskutuam një ndër ligjet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të komunave – Projektligji për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim pronave të komunave. Theksova se është shumë me rëndësi që amendamentet që bëhen në këtë ligj, të jenë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të komunave. Në të njëjtën kohë nenet të jenë të sakta, sqaruese që ndihmojnë trajtimin e të gjitha temave, ku komuna hyn si palë për të ndihmuar të mirën publike dhe zhvillimin e qyteteve të tyre. Diskutimi do të vazhdojë edhe në grupet punuese dhe është e rëndësishme që ky ligj të kalojë sa më shpejtë që është e mundur. Ligji në fjalë ka kaluar gjatë kohës së qeverisë së Ramush Haradinajt, ligj i cili ka mundësuar me qindra projekte zhvillimore në komuna të Kosovës”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.