Tahiri: Koha është tash të mendojmë për sigurinë dhe shtetndërtimin e Kosovës
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në konferencën e ftuar për media ka treguar për vizitën e kryetarit Ramush Haradinaj dhe delegacionit nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit atje,Tahiri tha Haradinaj u takua me senatorë dhe kongresmenë të rëndësishëm në Uashington.
“Për ne vizita në SHBA ka qenë mundësi e jashtëzakonshme për takime të rëndësishme në Ëashington. Haradinaj është takuar me Escobar, kongresmentin e majtë Richard Torres, senatorin Mike Lee, e shumë të tjerë të Departamanetit të shtetit”, tha Tahiri.
Shefi i GP të AAK-së tregoi gjithashtu se Haradinaj ka marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ku të pranishëm ka qenë zyrtarë të lartë të dhjetëra shteteve të botës.
“Kemi pasur mundësi që në Lutjet e Mëngjesit gjatë takimit me komunitete dhe liderë botërorë të përçojmë zërin e Kosovës dhe shqetësimeve aktuale tona atje. Gjatë vizitës në Pentagon, Ramush Haradinaj ka diskutuar për rolin e SHBA-së në sigurinë e vendit tonë”, tha Tahiri.
Ai gjithashtu përmendi se kanë bërë nderime te varri i senatorit Bob Doyle së bashku me përfaqësues të komunitet shqiptar.
“Së bashku me përfaqësues të komunitetit shqiptar kemi bërë homazhe te varri i senatorit Bob Doyle, për të mos harruar asnjëherë angazhimin dhe ndihmën e atyre që s’janë më në rolin e tyre për mbrojtjen e Kosovës”, u shpreh ai.
Tahiri theksoi se gjatë takimeve me kongresmenë dhe senatorë kishte qëllim për të ndihmuar dhe shtyrë përpara agjendën e Kosovës në Uashington.
Ai përmendi se nga këto takime, SHBA-ja asnjëherë nuk ka qenë më e angazhuar ndaj Kosovës që ajo të merr drejtim të sigurtë drejt të ardhmes.
“Populli dhe qeveria e Kosovës duhet ta dijë gjithmonë se roli i SHBAsë është jetik dhe na duhet angazhim konkret dhe serioz t’i përmbahemi agjendës së saj. Roli i SHBA-së për dialogun dhe arritjen e marrëveshjes është i ndershëm, konstruktiv dhe është transparent”, u shpreh Tahiri.
Tahiri ritheksoi se porositë nga SHBA-ja ishin të qarta.
“Koha është tash. SHBA-ja janë mik dhe mbështetës në shtetndërtimin e Kosovës që nga fillimi dhe të gjithë duhet ta kemi këtë fakt parasysh”, përfundoi ai.