Tahiri komenton idenë e Thaçit për kufijtë
Diskursi i përdorur ditëve të fundit rreth korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, e ka ndarë politikën kosovare në dy tabore. Megjithatë, njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se debati ende mbetet i paqartë.
Analisti Ramush Tahiri ka thënë se nga diskutimi aktual më shumë po zhvillohet sipas tij, mbi baza emocionale se sa ato racionale.
“Mua kjo ndarje po me duket një deja vu, sepse ndarje e tillë, por në anë të kundërta, ka qenë edhe me rastin e përcaktimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij, unë mendoj se debati duhet të analizohet dhe jo thjeshtë të reagohet. “Unë nuk kam parë argumente konkrete nga asnjëra palë, dhe se cili kufi po ndryshohet që është i favorshëm ose i pafavorshëm për Kosovën”, ka shtuar ai.
Më tutje, Tahiri ka thënë se krejt analizat thonë se kufijtë nuk lejohen të prishen, duke shtuar se askush nuk thotë që nuk duhet të bashkohet Presheva. “Krejt diskutimet janë në ajër, nuk kemi projekt me e pa se çka po ndryshohet, po humb ose po fiton Kosova të shihet konkretisht”, ka theksuar Tahiri, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, aty ku ka pajtim është se me bisedime po zgjidhet puna me Serbinë dhe se marrëveshja nuk do të jetë e imponuar.
“Presidenti e ka mandatin kushtetues dhe ligjor për të biseduar për këto tema. Presidenti i ka të caktuara këto kompetenca, ai mban përgjegjësinë e tij dhe mund t’i nënshkruaj marrëveshjet, por Kuvendi i Kosovës i ratifikon me shumicën e votave marrëveshjet”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e shtynë përpara idenë se në marrëveshjen në mes Prishtinës dhe Beogradit mund të ketë korrigjim të kufijve në mes dy vendeve, gjë e cila do ta mundësonte njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Ai ka thënë se Kosovës do të mund t’i bashkëngjitej Lugina e Preshevës.
Por, në anën tjetër partitë opozitare, por edhe partia e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë thënë se ndryshimi i kufijve do të mund të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkan.