Tahiri: Komunat po kthehen në partnerë dhe promotorë të zhvillimit të shtetit
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se në takimin e dytë të ‘Forumit Konsultativ Qeveri-Komuna’, i cili u mbajt të premten, u adresuan çështjet e trajtuara për këtë periudhë dhe zgjidhjet e prodhuara bashkërisht në funksion të agjendës zhvillimore.
“Lajmi i mirë për 38 Komunat e Kosovës, është se sot qeveria ka miratuar Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme Komunale. Ky ligj, i hapë rrugë që përmes dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës të stimulohet zhvillimi ekonomik lokal. Po ashtu, ligji jep mundësi të veçantë që prona komunale të kthehet në potencial për partneritet me sektorin privat dhe investitorët qofshin vendor apo të huaj”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se një segment i rëndësishëm, është se komunat do ta kenë përherë mundësinë që pronën komunale ta shfrytëzojnë për interes të publikut, duke u dhënë fund pengesave që prona e publikut të mos mund të ishte në interesin e publikut.
Në konferencën e përbashkët me kryetarët e komunave, Tahiri ka ftuar gjithë përfaqësuesit politikë në Kuvendin e Kosovës që sa më shpejtë të procedojnë me miratimin e këtij ligji, duke zhbllokuar procesin e duke hapur mundësitë për zhvillim të komunave.
“Njëkohësisht takimi i dytë, adresoi edhe koordinimin e planifikimit për vitin 2019 duke forcuar komponentin e mbështetjes për secilin projekt investim që del nga komunat dhe është në interes të qytetarëve dhe zhvillimit. Tashmë, komunat dhe qeveria janë duke u kthyer në partner dhe promotorë të zhvillimit, në rend të parë duke prodhuar zgjidhje për sfidat afatgjate, në rend të dytë duke prodhuar politika dhe legjislacion që ndihmon komunat t’u dalin në mbështetje qytetarëve dhe e treta në projektimin e përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Besnik Tahiri, koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.
/Epoka e re/