Tahiri: Kosova ishte e gatshme për themelimin e Speciales, Serbia jo
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke ka folur për Gjykatën Speciale, ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për ta themeluar një gjykatë të tillë por jo edhe Serbia.
“Edhe pse ka pasur procese gjyqësore të udhëhequra nga UNMIK-u, ku edhe janë dënuar individë dhe grupe të ndryshme, sërish Kosova ka qenë e gatshme për të themeluar një Gjykatë Speciale, për të shqyrtuar pretendimet për krime lufte. Një gjë të tillë fatkeqësisht nuk e ka bërë Serbia”, ka thënë Tahiri gjatë publikimit të Raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) për monitorimin e gjykimeve të krimeve të luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë gjatë vitit 2017.
Ministri Tahiri ka thënë se Serbia është duke ua mundësuar krimineleve të luftës të jenë të lirë. “Edhe sot e kësaj dite, Serbia nuk bashkëpunon me organet tona të drejtësisë, duke iu mundësuar kriminelëve të luftës të endën lirshëm cep me cep, ndonëse kemi qenë të gatshëm çdo herë për të ofruar dëshmi dhe prova konkrete”, ka thënë ministri Tahiri.