Tahiri: Kosova nuk ka më nevojë për EULEX-in

10 prill 2018 | 16:49

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se gjatë këtyre shtatë muajve ka pasur një angazhim të madh për sundim të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Si rezultat i kësaj dinamike ai ka thënë se janë përmbushur obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane, e cila do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave dhe do ta fuqizojë vendosmërinë për luftimin e dukurive negative.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka vlerësuar se sistemi i drejtësisë ka kapacitete për ta bërë punën në përputhje të ligjeve, pa pasur nevojë për një mision ekzekutiv të EULEX-it. Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën ka thënë se do të angazhohet që ky proces të përmbyllet me siguri të plotë juridike që të dalë në shesh e vërteta për luftën e pastër të UÇK-së

“Epoka e re”: Z. Tahiri, Ministria e Drejtësisë sa ka arritur ta përmbushë legjislacionin e kërkuar nga Agjenda e Reformave Evropiane, kur dihet se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një sfidë dhe proces i përhershëm, sidomos për liberalizimin e vizave?
Tahiri: Në radhë të parë, sundimi i ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar jo vetëm në Kosovë, por çdo kund, janë aspekte që kanë të bëjnë me integritetin e shoqërisë dhe integritetin e institucioneve prandaj, si të tilla, të njëjtat paraqesin procese të vazhdueshme mbi të cilat institucionet tona kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje. Kjo natyrisht se reflektohet edhe në masa të matshme dhe konkrete siç është rasti me indikatorët për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim, ka dy komponentë vendimtarë. Së pari, aspekti i politikëbërjes; së dyti, aspekti i zbatimit të ligjit. Në aspektin e politikëbërjes, që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ministrisë që unë drejtoj, mund të konfirmoj me përgjegjësi të plotë se një dinamikë e jashtëzakonshme e angazhimit ka ndodhur gjatë këtyre shtatë muajve si rezultat i së cilës tashmë kemi përmbushur obligimet tona që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane. Pjesë e kësaj agjende kanë qenë rishikimi dhe miratimi i tri politikave legjislative që ndërlidhen me fuqizimin e kapaciteteve dhe bazës ligjore për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim ne kemi hartuar projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për ushtrimin e funksionit publik, të cilat projektligje tashmë janë miratuar përfundimisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe kemi hartuar edhe një koncept-dokument për suspendimin e zyrtarëve publikë në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, rekomandimet e të cilit i kemi përfshirë në ndryshimet që kanë zënë vend në Kodin Penal dhe ato që janë duke zënë vend në ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Përmbushja e kësaj agjende do të reflektojë edhe në raportin për vendin edhe në forcimin e garancive në rrugën evropiane të Kosovës, veçmas do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave sepse këto ndryshime legjislative do të sjellin në një dimension të ri dhe shumë më të fuqishëm vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Epoka e re”: Ju keni deklaruar se 2018-a do të jetë vit i sundimit të ligjit. Sa jeni i kënaqur me punën e gjykatave dhe pagat që sot kanë gjyqtarët?
Tahiri: Në rrafshin politik, që nga fillimi, jam angazhuar që viti 2018 të jetë vërtet një vit i sundimit të ligjit në kuptim të asaj që sundimi i ligjit të jetë tema qendrore e këtij mandati qeverisës nga shumë perspektiva që këtë e bëjnë të mundur. Në rrafshin institucional, kam ndërmarrë veprime konkrete që mbështesin këtë përcaktim, duke filluar nga rritja e buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku për herë të parë pas disa vjetësh buxheti për të dy këshillat është rritur bazuar ekskluzivisht në kërkesat e tyre, gjë që do të mundësojë shtimin e numrit të gjykatësve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, rrjedhimisht do të ndikojë në shqyrtimin më efikas të lëndëve nëpër gjykata dhe uljen e numrit të tyre. Ndryshimet në Ligjit për Prokurorin e Shtetit të miratuar tashmë do ta mundësojnë edhe rritjen e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për të mundësuar efikasitet më të madh në çështjet që janë në mandatin e kësaj prokurorie. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe agjenda legjislative e vitit 2018, ku Ministria e Drejtësisë për këtë vit ka hartuar dhe është në proces të hartimit të 19 projektligjeve që paraqet ndërmarrësin më të madh ndonjëherë në rang të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në mesin e këtyre projektligjeve ka të tilla që adresojnë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar siç është Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale dhe Pakoja e Ligjeve Kundër Korrupsionit, pastaj projektligje që rregullojnë të drejtën pronësore, të përcjella edhe nga projekti më i madh legjislativ pas Kushtetutës, Kodi Civil i Republikës së Kosovës, si dhe projektligje që mundësojnë efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, siç është Pakoja e Ligjeve të Gjyqësorit. Ajo çfarë vitin 2018 e bën një vit që temë qendrore ka fuqizimin e shtetit të së drejtës, është edhe reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë në fushën e drejtësisë, përkatësisht procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, një proces jashtëzakonisht kompleks dhe gjithëpërfshirës, që synon të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë dhe të gjitha komponentëve përbërëse të saj, në mënyrë që në fund të kësaj reforme të dalim me Strategjinë kombëtare për sundimin e ligjit, e cila do t’i përcaktojë dhe unifikojë parimet, legjislacionin dhe të ardhmen e zhvillimit të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Sa iu përket pagave të gjyqtarëve, kam qenë i angazhuar dhe vazhdoj ta mbështes idenë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të jenë të krahasueshme me ato të rajonit dhe më gjerë, sepse konsideroj se shpenzimet në këtë drejtim nuk janë shpenzime klasike, por investime për sistemin e drejtësisë që do të mundësojë efikasitet më të madh në punën e tyre.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sipas kornizave të Gjykatës Kushtetuese

“Epoka e re”: Sa ka arritur Ministria e Drejtësisë t’i funksionalizojë institucionet e drejtësisë në pjesën veriore për ta garantuar sundimin e ligjit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës? A mund të themi se kemi një sistem unitar të drejtësisë?
Tahiri: Një nga të arriturat më të mëdha në vitin 2017 ka qenë inkuadrimi i pjesës veriore në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Sot qytetarët e Kosovës që nga Dragashi deri në Leposaviq ballafaqohen me një sistem të vetëm të drejtësisë, të bazuar në një kushtetutë të vetme, atë të Republikës së Kosovës. Mund të konfirmoj me përgjegjësi të plotë se puna është duke shkuar shumë mirë. Gjykatësit dhe prokurorët e komuniteteve joshumicë të inkuadruar në sistemin tonë të drejtësisë janë duke u trajnuar për ligjet e zbatueshme në Republikën e Kosovës, si dhe janë duke marrë në shqyrtim lëndët sipas legjislacionit në fuqi. Që nga tetori i vitit të kaluar e deri më tani nuk ka pasur asnjë indikacion që do të mund të vinte në pikëpyetje zbatimin efikas të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi dhe se çdo gjë është duke shkuar mbi baza normale.

“Epoka e re”: Te çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosova ka nisur të hapet për hartimin e statutit të këtij asociacioni, por kjo iniciativë është kundërshtuar nga Lista Serbe, e cila ka paralajmëruar për 20 prill themelimin e këtij asociacioni pa pëlqimin e palës së Kosovës. A do të ndodhë kjo njëanshëm dhe që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive?
Tahiri: Lista Serbe është një subjekt politik që përfaqëson interesat e komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe është pjesë e institucioneve tona edhe në Qeveri, edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, çështja e themelimit të Asociacionit është një çështje për të cilën tashmë kornizat i ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe se nuk mund të ketë klasifikime dhe kërkesa të jashtme që nuk janë në përputhje me atë që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, besoj se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është parë dhe duhet të shihet si një mundësi për bashkëpunim komunitar më efikas në mes të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe se në këtë drejtim nuk ka asnjë shqetësim. Jam i bindur se edhe Lista Serbe në esencë e di se çfarë është në të vërtetë në interes të komunitetit serb, prandaj besoj se në kohën adekuate kur ekipet punuese të kenë hartuar statusin e Asociacionit, edhe Lista Serbe do të ketë reflektim pozitiv.

“Epoka e re”: EULEX-i e përmbyll mandatin në qershor të këtij viti. A do të ketë nevojë Kosova më për këtë mision dhe a mund të ndodhë që t’i ripërtërihet mandati si herën e kaluar?
Tahiri: Sipas marrëveshjes ekzistuese, mandati i EULEX-it përfundon në qershor dhe ne si institucione jemi duke punuar për të marrë përsipër çdo aspekt që asnjë lloj zbrazëtie të mos mbetet me rastin e përfundimit të këtij misioni. Në aspektin real, pa marrë parasysh performancën e EULEX-it në kuptimin e përgjithshëm, i njëjti ka kontribuar për fuqizimin e institucioneve vendore, veçmas organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, prandaj në rrafshin praktik konsideroj se në kuptimin e ngushtë tashmë Republika e Kosovës nuk ka detyrimisht nevojë për këtë mision. Megjithatë, se a është e nevojshme një fazë tranzicioni të këtij mandati para se të thuhet se i njëjti do të mbyllet përfundimisht dhe, nëse po, cili do të jetë roli i tij, kjo është një çështje përcaktimi për të cilën i takon një niveli ndërinstitucional të vendimmarrjes. Si ministër i Drejtësisë jam i bindur se sistemi i drejtësisë, përkatësisht gjyqësori dhe prokuroria, tashmë kanë kapacitetet profesionale dhe buxhetore për ta bërë punën e tyre konform ligjeve në fuqi, pa pasur nevojë për një mision ekzekutiv të EULEX-it.

Si ministër do t’i kushtoj vëmendje të madhe mbrojtjes juridike të qytetarëve që janë subjekt i Speciales

“Epoka e re”: Z. Tahiri, ju keni dhënë qëndrim sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale dhe kundërshtimit që ka pasur kjo gjykatë, por deshëm të dimë se kur do të ngrihen aktakuzat, dhe cili është bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me drejtuesit e kësaj gjykate?
Tahiri: Gjykata Speciale paraqet një realitet juridik me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe e njëjta është pjesë e sistemit tonë të drejtësisë me një mandat të definuar sipas ligjeve tona. Megjithatë, si çdo gjykatë tjetër që bën punën e vet konform ligjit e në mënyrë të pavarur, edhe kjo gjykatë vepron në pavarësi të plotë, prandaj nuk është në mandatin tim të di për përmbajtjen e aktakuzave, as numrin e të akuzuarve dhe as kohën se kur të njëjtat do të procedohen. Vitin e kaluar unë kam pasur një takim me kryetaren e kësaj gjykate, zonjën Trendafilova, ku kam kërkuar siguri juridike, transparencë dhe përgjegjshmëri në punën e tyre dhe mund të them se Trendafilova ka shprehur përkushtimin e saj që në çdo rast eventual të ballafaqimit të qytetarëve tanë si subjekte para kësaj gjykate, do të respektohen normat dhe parimet më të avancuara të të drejtave të njeriut që aplikohen në botën demokratike. Ajo çfarë unë i kam kushtuar vëmendje të madhe është mbrojtja juridike e qytetarëve tanë që eventualisht mund të jenë subjekt i paraqitjes para Dhomave të Specializuara. Jam duke themeluar një zyrë të veçantë brenda ministrisë që do të merret me aspektet procedurale të financimit të mbrojtjes juridike dhe do të angazhohem vazhdimisht që i tërë ky proces të përmbyllet me siguri të plotë juridike për qytetarët tanë dhe që të dalë në shesh e vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Numri i përmbaruesve do të rritet

“Epoka e re”: Këto ditë Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka hapur kampanjën ‘Drejtësia dhe biznesi’. Përfaqësuesit e bizneseve janë ankuar për procedurat e zgjatura tek gjykatat. A keni ndërmarrë ndonjë veprim në këtë çështje?
Tahiri: Në kuadër të reformës së rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë janë shtatë shtylla themelore që gjenerojnë debatin se si duhet të rregullohet sistemi i drejtësisë dhe në mesin e tyre, një shtyllë e veçantë i është kushtuar drejtësisë komerciale apo drejtësisë që lidhet me të bërit biznes. Republika e Kosovës është shtet demokratik me një ekonomi të lirë të tregut ku sektori privat është dhe duhet të jetë gjeneruesi më i madh i punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Për këtë jam angazhuar që sistemi i drejtësisë të ofrojë një infrastrukturë të mirëfilltë edhe për këtë sektor. Më parë ka ekzistuar një Gjykatë Ekonomike e cila është mbyllur, me gjasë, në mungesë të efikasitetit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne si institucione të mos shqyrtojmë mundësitë për një gjykatë të re që trajton këto çështje apo për një riorganizim eventual nëpër degët e gjykatave themelore. Në kuadër të këtij procesi reformues, konsultimet janë duke vazhduar dhe epilogu i tyre do të na sjellë rekomandimet e arsyeshme se si të veprojmë më tutje, por e them me përgjegjësi të plotë se jam duke u angazhuar që kjo çështje të marrë një orientim që do të jetë funksional dhe që i mundëson komunitetit të biznesit ballafaqim të denjë, efikas dhe të përgjegjshëm me sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

“Epoka e re”: Ka ankesa nga qytetarët se përmbaruesit privatë po vonojnë zgjidhjen e rasteve. A keni ju ndonjë organ i cili mbikëqyrë punën e përmbaruesve? Dhe, tash për tash, a është i mjaftueshëm numri i përmbaruesve?
Tahiri: Profesionet e lira ligjore, ku bëjnë pjesë edhe përmbaruesit, në përgjithësi janë një histori suksesi në Kosovë, të cilat kanë mundësuar efikasitet më të madh në qasjen në të drejta dhe kanë mundësuar një efikasitet më të madh në adresimin e çështjeve që lidhen me aspektin ekonomik. Megjithatë, si ministër i Drejtësisë e konsideroj tejet të nevojshme të ridefinohen edhe një herë vlerat mbi të cilat këto profesione funksionojnë, veçmas në kuptim të adresimit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së tyre. Për të adresuar këtë çështje, këtë vit do të themeloj një njësi të veçantë brenda ministrisë e cila do të ketë mandat të plotë auditimi edhe nga aspekti i llogaridhënies edhe nga aspekti i përmbajtjes së punës së profesioneve të lira ligjore. Kjo mbikëqyrje e profesioneve ligjore, përkatësisht përmbaruesve privatë, do të mundësojë transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi të punës së tyre ndaj qytetarëve dhe subjekteve të tjera. Sa i përket numrit të përmbaruesve, para disa javësh kanë bërë betimin edhe një numër i ri i tyre, por ky numër do të rritet edhe në të ardhmen mbi bazën e parimit të ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët, duke mbuluar kështu një shtrirje më të gjerë gjeografike.

Deri në fund të mandatit Shërbimi Korrektues do të jetë referencë e mirë për të gjitha vendet në rajon

“Epoka e re”: Ministër, në burgjet e Kosovës ende nuk është arritur një standard për eliminimin e praktikave të paligjshme, p. sh., ka raste kur ikën i burgosuri, ka raste të vetëvrasjeve e të plagosjeve. Që nga ardhja juaj në krye të kësaj ministrie, a keni ndërmarrë masa për ngritjen e përgjegjësisë për parandalimin e dukurive negative?
Tahiri: Shërbimi Korrektues i Kosovës përgjithësisht është një sistem funksional që mbikëqyrë ekzekutimin e sanksioneve penale, për fuqizimin e të cilit jam i shqetësuar vazhdimisht. Është e natyrshme që një hapësirë ku sundojnë parimet e sigurisë në njërën anë dhe ato të të drejtave të njeriut në anën tjetër, jo gjithmonë është e lehtë për t’u menaxhuar. Në të kaluarën ka pasur edhe raste të devijimeve dhe praktikave të paligjshme për të cilat kam bërë një reflektim të thellë dhe besoj se gjendja në përgjithësi është në përmirësim e sipër. Kam vizituar çdo qendër korrektuese ku kam parë nga afër edhe gjendjen e të burgosurve dhe kapacitetet e stafit, edhe aspektet infrastrukturore ndaj të cilave e kam një plan pune. Tashmë jemi në proces të përzgjedhjes edhe të drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së dhe besoj se vëmendja jonë për përmirësimin e përgjithshëm të aspektit të sigurisë, profesionalizmit të stafit dhe avancimit të mirëqenies së personave në vuajtje të dënimit, do të marrë orientim të matshëm, rezultat i së cilave do të jetë evitimi i parregullsive dhe praktikave të paligjshme në qendrat korrektuese. Jam i bindur se me angazhimin e mëtejmë që jemi duke ndërmarrë, deri në fund të këtij mandati qeverisës, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë referencë e mirë për të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë edhe në aspektin e sigurisë, edhe në atë të respektimit të të drejtave, dinjitetit dhe personalitetit të personave në vuajtje të dënimit.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra pasagjerë në katër aeroporte gjermane, duke përfshirë edhe atë…