Tahiri kritika ndaj Qeverisë Kurti: Nuk ka angazhim për agjendën legjislative
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe pozitën për mungesë të angazhimit në agjendën legjislative.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë para mediave se nga mazhoranca nuk është duke u parë rritje e angazhimit për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve.
“Sa i përket funksionim të Kuvendit, jemi dëshmitar që nuk kemi pasur një mbarëvajtje të duhur. Normalisht që përgjegjësia bie mbi mazhorancës që është treguar joefikase në shumë aspekte. Nuk kemi arritur që nga fillimi me pasur një funksionim të mirëfilltë që do t’i përgjigjej nevojave të qytetarëve. Rol të madh ka edhe qeveria, pasi është proceduesi më i madh i agjendës legjislative. Prandaj ka shumë të meta. Pra mosfunksionimi i kësaj ka dëmtuar shumë parti, pasi janë mbetur pezull shumë projekte të ndryshme. Prandaj prej fillimit nuk kemi parë angazhim për përmirësim të efikasitetit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se PDK-ja në vazhdimësi është treguar e përkushtuar.
“Ju e dini qëndrimin e PDK-së, që edhe gjatë verës kur ishte kriza e pandemisë kemi tregu përkushtimin dhe angazhimin tonë e kemi kërkuar që të mblidhemi më herët, t’i ndërpremë pushimet. Mirëpo, kjo mazhorancë ka vazhduar me ritmin e njëjtë”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, Tahiri ka theksuar se shumë shpejt PDK-ja do të përcaktohet për nënkryetarin e tyre në Kuvend, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës.
“Besoj që sapo të përcaktohemi do ta bëjmë me dije. Unë besoj se është çështje ditësh”, ka thënë ai.