Tahiri kritikon qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë dhe produkteve ushqimore
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mostransparencë.
Më herët ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e ku më pastaj kryetarët e grupeve parlamentare kanë dhënë deklarata për media.
Tahiri ka thënë se në seancën e radhës do të diskutohet Projektligji mbi vlerën e shtuar, i cili sipas tij ka qenë ide e Bedri Hamzës, kur ky i fundit ushtronte detyrën e ministrit të Financave.
Tahiri po ashtu ka folur edhe për çështjen e energjisë, ku ka thënë se kanë hapur debatin për këtë temë ende pa u marrë vendimi nga ZRrE-së.
“Kemi kërkuar që rritja e çmimit të energjisë të mos ndodhë”, ka thënë ai.
Përveç rritjes së çmimit të energjisë, Tahiri ka adresuar edhe rritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme, duke filluar nga ato esenciale.
“Këto rritje të çmimeve po ua vështirësojnë jetën qytetarëve”, është shprehur Tahiri.
Tahiri ka folur edhe për Kodin Civil, të cilin e ka cilësuar si më të rëndësishmin.
“Ende shumë çështje rregullohen me legjislativin e ish- Jugosllavisë. Dhe ky Kod Civil do ta largojë një pjesë të legjislacionit që ka mbetur nga koha e ish-Jugosllavisë”, ka deklaruar Tahiri.
Më tutje, Tahiri ka kritikuar qeverinë edhe për çështjen e dialogut, ku ka kërkuar transparencë me të madhe.
“Sot nuk mund te flasim për draftin e një marrëveshje me Serbinë, draft të cilin ne nuk e kemi parë”, ka thënë Tahiri.