Tahiri: Kurti duhet të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në këmbim të formimit të Asociacionit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të kushtëzojë formimin e Asociacionit me ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.
Tahiri ka thënë se Kurti duhet të kërkojë heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.
“Meqenëse Serbia nuk dëshiron të dëgjoj për Kushtetutën e Kosovës siç po thotë Kurti, atëherë Kurti duhet ta kushtëzoj asociacionin me ndryshimin e Kushtetutës se Serbisë duke hequr Kosovën si pjesë të saj”, ka shkruar Tahiri.
Një raund i ri bisedimesh është zhvilluar të hënën në Bruksel, në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq. Nga ky takim palët kanë dalur pa shënuar ndonjë përparim.
Ndërsa më 2 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë dakorduar për deklaratën për personat e pagjetur.
Pajtim nuk ka pasur rreth formimit të Asociacionit për çka Kurti e ka paraqitur vizionin e tij pasi e ka kundërshtuar draftin e prezantuar nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar.