Tahiri: Kurti, politikan i paftë për të qeverisur
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se është e çuditshme dhe e paprecedent se si qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, edhe pas një jave të formimit të saj, ende nuk e ka mbajtur mbledhjen e parë dhe ende nuk e ka shpalosur para qytetarëve programin qeverisës.
Ai ka thënë se në vend të kësaj, Kurti ka zgjedhur ta bëjë një vizitë jashtë vendit.
Sipas tij, ky fakt është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin.
“Prioritet i kryeministrit sot nuk ishte takimi me kabinetin e tij, për të përcaktuar detyrat themelore, e as ofrimi i programit që do të shërbente për të njohur orientimin politik, ekonomik e social ndaj temave kryesore e zhvillimore të vendit, por një vizitë në Shqipëri. Por, kjo vizitë e tij, përderisa ende nuk ka ushtruar as funksionin themelor të Kryeministrit, është një paralajmërim tipik i stilit të tij politik të papërgjegjësisë dhe mashtrimit, të cilin ai përpiqet të na e shesë si punë të rëndomtë të një kryeministri. Është shqetësuese sjellja e papërgjegjshme e Kurtit karshi pritjeve të qytetarëve, që me të drejtë kërkojnë ta dinë agjendën e prioriteteve për Kosovën”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
/Epoka e re/