Tahiri: Kurtin e tmerron ideja se autor i nismës për tribunalin është kryetari i PDK-së
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se qasjen e opozitës për të penguar funksionalizmin e Tribunalit ndërkombëtar, që ka për qëllim hetimin dhe ndëshkimin e atyre që kryen krime në Kosovë në vitin 1998-1999, asgjë nuk e pasqyron më mirë se sa qëndrimi i shprehur sot nga Albin Kurti.
Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kurtin e tmerron ideja se autor i kësaj nisme është kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, si dhe mundësia që kjo iniciative të ketë sukses
Postimi i plotë i Tahirit:
Qasjen e opozitës për të penguar funksionalizmin e Tribunalit Ndërkombëtar, që ka për qëllim hetimin dhe ndëshkimin e atyre që kryen krime në Kosovë në vitin 1998-1999, asgjë nuk e pasqyron më mirë se sa qëndrimi i shprehur sot nga Albin Kurti. Me anë të këtij rrëfimi ai tenton ta justifikoj bllokimin që është duke i bërë nismës për themelimin e këtij Tribunali.
Në mënyrë manipulative, ai pohon se me anë të kësaj iniciative të ndërmarrë nga Kryetari i Kuvendit, tentohet të suspendohet kapaciteti i mekanizmave juridik shtetëror për të dënuar krimet serbe në Kosovë. Mashtrim më të madh se kaq nuk mund të ketë. Sepse themelimi i një institucioni të tillë vetëm sa i forcon potencialet e institucioneve tona për të adresuar këtë çështje.
Albin Kurtin e tmerron ideja se autor i kësaj nisme është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe mundësia që kjo iniciative të ketë sukses. Ashtu siç i janë shndërruar në makth çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, të cilat u fituan si rezultat i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar, bashkëpunim ky të cilin dikur Albin Kurti bënte thirrje që të sabotohej, me të njëjtën logjikë që i sulmonte atëherë këto procese ai e atakon edhe sot këtë nismë.
Pra pasi dështoj që ta pengoj fitimin e këtyre dy qëllimeve madhore për shqiptarët e Kosovës, sot i është veshur punës që ta pengojë dokumentimin ndërkombëtar të krimeve serbe që kanë ndodhur në Kosovë.
Sepse vetëm në këtë mënyrë e ka më lehtë të manipuloj me plagët e kësaj shoqërie.
/Epoka e re/