Tahiri, Kurtit: E ke kallë Kosovën për Asociacionin, tash duhet ta refuzosh atë
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti në kohën sa ishte opozitar kundërshtonte në çdo formë Asociacionin dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe sa është kryeministër.
Tahiri ka thënë se Kurti ka fituar pushtet duke e refuzuar formimin e Asociacionit.
“Një problem që e ka Kurti si kryeministër, ai e ka kundërshtuar fuqishëm Asociacionin, deri në masat e protestave të dhunshme, e deri te kallja e parlamentit. E tani kur e ka kundërshtuar nuk mund të kthehet më pas dhe të fillojë të flasë për këtë temë. Por, si do ta menaxhojë këtë, kjo është puna e tij.
A do t’i mashtrojë votuesit, a do t’u rrijë besnikë atyre premtimeve, kjo është çështje e tij. Mirëpo, porosia ime, është kjo: E ke kallë Kosovën për Asociacion, tash duhet ta refuzosh atë. Kjo është porosia ime për Kurtin. Mbi refuzim të Asociacionit, Kurti e ka fituar pushtetin”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Kutjojmë se ndërkombëtarët kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të fillohet punët në themelimin e Asociacionit. Në anë tjetër, Kurti ka thënë se nuk do të ketë Asociacion një etnik.