Tahiri: Logjika e kërcënimit të institucioneve ka perënduar
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se është më shumë se kurrë i fokusuar për fuqizimin e shtetit ligjor.
Duke folur për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, për të cilën thuhet se ka ardhur për shkak të kërcënimit, ministri Tahiri ka theksuar kjo çështje mbetet për t’u sqaruar dhe janë të tjera organe ato që konstatojnë nëse ka pasur kërcënime.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e papranueshme që zyrtarët e institucioneve që zbatojnë ligjin të kërcënohen nga kushdo qoftë.
“Mesazhi që unë kam përçuar dhe që i qëndroj plotësisht është se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të duhej dhe nuk mund të shpresojë se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj do të bien pre e presionit, kërcënimit apo shantazhit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se mekanizmat e rendit dhe të ligjit kanë nevojë për koordinim edhe më të mirë
“Epoka e re”: Ministër, a keni qenë në dijeni se prokurori Elez Blakaj, ashtu siç është raportuar, ka qenë i kërcënuar, pasi ka qenë i caktuar në detyrë për hetimin e listave të veteranëve të UÇK-së. Cilat janë informatat tuaja për këtë rast?
Tahiri: Mandati im i ministrit të Drejtësisë dhe i institucioneve që zbatojnë ligjin është i ndarë dhe në këtë rrafsh unë nuk kam pasur informata as për rastin e dorëheqjes së prokurorit, as për asnjë çështje që u takon organeve të pavarura ligjzbatuese. Lajmin e kam kuptuar nga mediat, por nuk kam mundur të rri indiferent ndaj arsyeve që janë përmendur si shkak i dorëheqjes së prokurorit. Ne jemi më shumë se kurrë të fokusuar për fuqizimin e shtetit ligjor dhe është absolutisht e papranueshme që zyrtarët e institucioneve që zbatojnë ligjin të kërcënohen nga kushdo qoftë. Natyrisht e tërë kjo çështje mbetet për t’u sqaruar dhe janë të tjera organe ato që konstatojnë nëse ka pasur kërcënime, por mesazhi që unë kam përçuar dhe që i qëndroj plotësisht është se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të duhej dhe nuk mund të shpresojë se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj do të bien pre e presionit, kërcënimit apo shantazhit. Qytetarët presin me të drejtë të kenë besim në punën e institucioneve të drejtësisë dhe ky besim për asnjë çast nuk mund të cenohet nga askush.
“Epoka e re”: Ka pasur reagime të ndryshme për këtë rast edhe nga Ambasada Amerikane, opozita dhe shoqëria civile. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se dorëheqja e prokurorit Blakaj është ditë e pikëlluar për drejtësinë.
Tahiri: Kemi hyrë në dekadën e dytë të shtetit tonë sovran dhe pa dyshim se në procesin e shtetndërtimit nuk kemi qenë të vetëm. Angazhimi ynë për konsolidimin e shtetit ligjor ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë zhvillimor, veçmas Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata e ambasadorit Delawie me tërë simbolikën e saj ka qenë plotësisht me vend. Natyrisht se ambasadori Delawie në deklarimin e tij i është bashkangjitur shqetësimit të njëjtë që kam pasur edhe unë dhe shoqëria civile dhe çdo qytetar i Kosovës që pret funksionim të mirëfilltë të sistemit të drejtësisë. Pa marrë parasysh rrethanat dhe pa dashur të paragjykojmë nëse dorëheqja e prokurorit ka ardhur për arsye personale apo për shkak të kërcënimeve, vetë ideja se një prokuror mund të kërcënohet për shkak të punës që bën, është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet asnjëherë. Prandaj, mesazhi që është dërguar nga ambasadori Delawie, krerët e institucioneve tona dhe e gjithë shoqëria, ka qenë mesazh i fuqishëm, se logjika e kërcënimit të institucioneve tona ka perënduar njëherë e përgjithmonë dhe, po ashtu, është një sinjal për ne që kemi përgjegjësi në këtë fushë, se mekanizmat e rendit dhe ligjit kanë nevojë për një koordinim më të mirë në mënyrë që sundimi i ligjit dhe pacenueshmeria e organeve që e zbatojnë atë të bëhet standard i palëkundshëm.
“Epoka e re”: Me këtë rast ka reagime të ndryshme se sistemi i drejtësisë nuk është në nivel për shkak të, siç thuhet, ndërhyrjeve politike.
Tahiri: Drejtësia është një prej shtyllave themelore të një shoqërie demokratike dhe natyrisht se si shtet i ri, në konsolidim e sipër, nuk mungojnë perceptimet se ka ndikime politike në sistemin e drejtësisë. Por, si ministër i Drejtësisë mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se preokupimet tona ditore janë hartimi i politikave publike që fuqizojnë pavarësinë e plotë dhe sigurojnë përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë, përtej çdo ndikimi politik. Pakoja e ligjeve të gjyqësorit në veçanti dhe agjenda legjislative që kam shtruar para vetes do t’i japin dimension dhe fizionomi të re institucioneve të sistemit të drejtësisë ku jo vetëm që nuk ka vend, por është e pamundur çfarëdo lloj ndikimi mbi punën e pavarur të këtyre institucioneve. Përveç pavarësisë kushtetuese dhe ligjore, gjyqësorit dhe prokurorisë i kemi ofruar në masë të konsiderueshme edhe mbështetje financiare, duke rritur buxhetin dhe duke rritur numrin e profesionistëve të angazhuar në këtë fushë. Këto masa nuk janë aspak të rastësishme, por në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe forcimit të sigurisë juridike të sistemit të drejtësisë. Jam shumë optimist se angazhimi ynë i përbashkët në muajt në vijim do ta mbyllë edhe kapitullin e perceptimeve për ndikime politike në drejtësi.
“Epoka e re”: Ministër, a do të duhej që prokurorët të jenë të përgjegjshëm edhe në rastet kur marrin kërcënime që ata ta kërkojnë mbrojtjen e shtetit, në mënyrë që një hetim kur e nisin, ta çojnë deri në fund?
Tahiri: Në asnjë lloj veprimtarie publike nuk ka të drejta pa detyrime dhe nuk ka autorizime pa përgjegjësi. Pa dyshim se bartësit e funksioneve shtetërore të rëndësishme, siç është funksioni i prokurorit apo gjyqtarit, kanë përgjegjësinë e tyre për administrimin efikas të drejtësisë dhe vendosjen e saj deri në fund, pavarësisht se kush është palë. Por, krahas kësaj përgjegjësie, institucionet duhet t’i ofrojnë mbrojtjen e plotë nga çdo cenim i mundshëm. Në mesin e nismave ligjore që kam ndërmarrë trajtohen edhe pavarësia dhe pacenueshmëria e gjyqësorit dhe prokurorisë, por paralelisht me të edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia e tyre. Pakoja e ligjeve të gjyqësorit si dhe procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, që veçse është në rrugë të mirë për të prodhuar rezultatet e para, do t’u japin zgjidhje afatgjatë problemeve të kësaj natyre.
“Epoka e re”: Prej se e keni marrë detyrën e ministrit, sa keni arritur ta ktheni besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë?
Tahiri: Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë varet nga shumë faktorë, duke nisur nga natyra rregulluese e ligjeve e deri te zbatimi i mirëfilltë i tyre. Qasja ime prej ministri të Drejtësisë prej fillimit ka qenë e orientuar për identifikimin dhe ekspozimin e çdo problemi që rëndon mbi sistemin e drejtësisë sepse e vetmja mënyrë se si ndërtohet një sistem i qëndrueshëm është duke u ballafaquar me problemet dhe duke i orientuar të njëjtat drejt zgjidhjes. Mund t’ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se politikat legjislative që kam sponsoruar do të mundësojnë një epokë të re për sistemin e drejtësisë dhe pa dyshim se efektet e tyre do ta rrisin besimin e qytetarëve në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme. Pres koordinim më të mirë të institucioneve të rendit dhe ligjit që këto ligje të gjejnë zbatim të mirëfilltë dhe që bashkërisht të kontribuojmë në konsolidimin e një drejtësie në të cilën kanë besim të parezervë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Shqipe HETEMI