Tahiri: LV-ja dëshiron ta legjitimojë rritjen e çmimit të rrymës

31 janar 2022 | 18:17

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelart Tahiri, ka thënë se Lëvizje Vetëvendosje po synon të legjitimojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo parti  tani po pyet se sa duhet të shtrenjtohet energjia elektrike e jo si të mos rritet çmimi i saj fare.

Postimi i plotë i Tahirit:

Përkundër paralajmërimeve tona me kohë për valën e krizës energjetike dhe mos marrjes së masave parandaluese, që nga momenti kur u pa qartë se Kosova është futur në këtë krizë, Kryeministri Albin Kurti dhe mazhoranca e udhëhequr nga Vetëvendosja, nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësinë e dështimit të tyre, produkt i të cilës është formula: ose rritje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët, ose reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Për më tepër, pa treguar as vullnetin më të vogël për të shqyrtuar mundësitë që të evitohet një skenar me këto dy alternativa, prej të cilave asnjëra nuk është alternativë për qytetarin, Kryeministri Kurti dhe mazhoranca kanë qenë në sinkronizim të plotë me ZRRE-në dhe operatorët, duke përgatitur terrenin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Në reflektim të gjendjes së rënduar sociale dhe pamundësisë së qytetarëve për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Grupi Parlamentar i PDK-së kishte thirrur debat në Kuvendin e Kosovës, në seancën e të cilit, nga sinkroni Qeveri-ZRRE, nuk pati reflektim por konfirmim se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte bërë “doktrinë zyrtare” e Qeverisë Kurti.

Adresimi i komenteve të ZRRE-ja, një institucion ligjërisht i pavarur e praktikisht i dirigjuar nga Qeveria Kurti, ishte përpjekje për të blerë kohë dhe për të legjitimuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Si një barrë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, të cilët krahas inflacionit në produkte esenciale, tash do ngarkohen me dyfishim të çmimit të energjisë elektrike, për PDK-në, legjitimimi i kësaj rritje përmes komenteve që synojnë të përmblidhen në pyetjen se sa duhet të shtrenjtohet energjia elektrike e jo se çfarë duhet bërë që ajo të mos shtrenjtohet, ka qenë dhe është i papranueshëm.

Prandaj, ne kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe do ta kundërshtojmë me çdo mjet demokratik e ligjor, këtë barrë të rëndë që po iu shërbehet qytetarëve nga sinkroni Qeveri-ZRRE.

Paga e punëtorëve kosovarë, si në sektorin publik e veçmas në atë privat, vazhdon të mbesë tejet e ultë për të përballuar rritjen e shpejtë e të shumëfishtë të çmimeve pa kurrfarë kontrolli. Me këtë qasje për rritjen e çmimit të energjisë, paga e punëtorëve kosovarë po shndërrohet në pagë për taksa dhe atë, shpesh e pamjaftueshme vetëm për taksa.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton hapur qasjen legjitimuese për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe do ta kundërshtojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike me çdo mjet ligjor, kushtetues e politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se më 15…