Tahiri, LV-së: Çka është kjo heshtje për mostrat e rastit Dehari?
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka pyetur sërish Lëvizjen Vetëvendosje se përse po qëndron e heshtur lidhur me rastin e mostrave të Astrit Deharit.
Tahiri në një postim në Facebook, ka shkruar se “nuk mund të fshiheni nga e vërteta”.
“Çka është kjo heshtje në Vetëvendosje për mostrat e rastit Dehari? Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit?
A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave?
Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka”, ka shkruar Tahiri.
Kujtojmë se të dielën në një konferencë për media, Tahiri ngriti dyshime mbi rastin e zhdukjes dhe pastaj gjetjes së mostrave të Astrit Deharit.
Ai ftoi edhe Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për të vënë para përgjegjësisë secilin zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre.