Tahiri: Me mosratifikimin e marrëveshjeve dobësohet kredibiliteti negociues i Kosovës

23 qershor 2020 | 16:57

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se me mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi, dobësohet kredibiliteti negociues i Kosovës kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare.

Ai ka thënë se e kupton politikën ditore, por sipas tij është koha e fundit  që t’i kthehen interesit publik e qytetar, raporton “Epoka e re”.

“Sa i përket debatit të sotëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës me duhet të them se si vend duhet të jemi të qartë për obligimet që kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mungesa e vullnetit, guximit dhe konsensusit politik e institucional për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku bien edhe ato financiare, mund të prodhojë efekte negative afatgjata. Me këtë qasje dobësohet kredibiliteti negociues i Kosovës kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare. Për më keq, kjo mund të rezultojë me ngushtimin e mundësive në të ardhmen, për projekte zhvillimore, dhe/apo të rimëkëmbjes. E kuptoj shumë mire politikën ditore, por është koha e fundit t’i kthehemi interesit publik e qytetar, të jemi më pragmatik e më të përgjegjshëm karshi sfidave. Debati duhet t’i shërbejë zgjidhjeve dhe konsensusit, dhe assesi përplasjeve e problemeve ngatërrestare pa fund!”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga foltorja e Kuvendit u…