Tahiri: Mekanizmat e drejtësisë kanë kapacitete t’i marrin përgjegjësitë që i kishte EULEX
Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë sot se tashmë ekzistojnë vlerësime edhe nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë se mekanizmat e drejtësisë, por edhe ato të sigurisë, kanë kapacitet që t’i marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë që deri tash i ka pasur EULEX-i.
“Më nuk do të kemi mision me mandat ekzekutiv në Republikën e Kosovës. Pra, do të do të jenë kosovarët ata, institucionet që do të jenë përgjegjës për agjencitë zbatuese të ligjit për qeverisjen e vendit dhe zbatimin e ligjit”, tha Tahiri.
Tahiri tha se grupi këshillëdhënës ndërkombëtare që do të mbetet nga EULEX-i, do të ketë një emër tjetër dhe ai do të vendoset nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ata do të monitorojnë punën e gjykatave, punën e prokurorisë, punën e policisë. Unë konsiderojnë se një gjë të tillë tashmë Bashkimi Evropian e bënë edhe me shtet e tjera. Ndoshta me një mision të tillë siç është te ne është pak më i theksuar, mirëpo i gjithë Ballkani Perëndimor, është në monitorimin, vëzhgimin e Bashkimit Evropian. Ne, apo gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojmë të jemi pjesë e BE-së dhe normalisht që në procese të tillë monitorohemi “, tha Tahiri për Evropën e Lirë.
Nga data 14 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, pritet të ndryshojë mandatin. Mandati aktual, me përgjegjësi ekzekutive, monitoruese dhe mentoruese nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë, këtij misioni i mbaron pikërisht nga 14 qershori, kur edhe pritet të kalojë në mandatin n këshillëdhënës.