Tahiri: Menaxhimi i ujërave të pijshëm në Kosovë është përgjegjësi e Qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se qytetarët në Prishtinë po vazhdojnë të përballen me probleme sa i përket ujit.
Ai thotë se menaxhimi i ujërave të pijshëm në Kosovë është përgjegjësi e Qeverisë.
“Kanë kaluar javë që një pjesë e madhe e lagjeve të Kryeqytetit nuk mund ta përdorin për pije apo gatim ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit. Është hera e dytë brenda këtij viti që qytetarët e Prishtinës përballen me një problem të tillë. Menaxhimi i ujërave të pijshëm në Kosovë është përgjegjësi e Qeverisë. Por, a keni dëgjuar ndonjë zyrtar të qeverisë së Kosovës të merret me këtë çështje? Normalisht që jo, sepse për këtë temë kërkohet kompetencë, dhe nuk ka shumë mundësi për përfitime milionëshe”, thuhet në reagim.
Tutje, ai ka theksuar se ” kur bëhet fjalë për faljen e borxheve të shfrytëzimit të ujit nga disa kompani të papërgjegjshme, të cilat nuk i kanë kryer detyrimet ndaj shtetit, aty e gjeni praninë e fuqishme të zyrtarëve dhe ministrave të kësaj qeverie”.
“Kompanive abuzuese të ujit iu falen borxhe mbi 11 milionë euro të njohura deri tani, ndërkohë që dyshohet se kjo shumë shkon mbi 20 milionë euro. Ndërkohë, mbi 150 mijë qytetarë të Prishtinës lihen pa ujë të pijshëm. Dhe, përderisa qytetarët e Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm për shkak të manganit, ata blejnë ujin nga kompanitë të cilave Qeveria iu ka falur mbi 11 milionë euro borxhe”.