Tahiri: Ministria e Drejtësisë, shembull për punësimin e bursistëve ‘Young Cell Scheme’
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim bursistët e Programit “Young Cell Scheme”, që kanë filluar punën në këtë ministri në fillim të këtij muaji.
Ai ka treguar se ky program i përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian financon studimet postdiplomike të të rinjve në fushat që janë deficitare në Kosovë.
“Angazhimi i bursistëve ‘Young Cell Scheme’ nuk është vetëm plotësim i një marrëveshje partneriteti mes institucioneve tona dhe Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha është shpërfaqje e vullnetit për të ndërtuar shembuj që i duhen shtetit dhe shoqërisë se të rinjtë tanë të shkolluar e me kompetencë do të kenë rol primar në shërbimet që institucionet tona u ofrojnë qytetarëve”, ka thënë ministri Tahiri.
Ai ka theksuar se gjatë dy viteve të mandatit të tij ka pas prioritet angazhimin dhe punësimin e këtyre bursistëve duke u bërë shembull edhe për institucione tjera të Republikës.
Gjatë kësaj periudhe, ministri Tahiri ka bërë me dije se janë punësuar gjithsej 7 bursistë në departamente të ndryshme, pesë prej të cilëve kanë nisur punën këtë vit.
“Jam shumë i lumtur që 7 nga këta bursistë, tash janë bashkangjitur punës në Ministrinë e Drejtësisë, ku do zhvillojnë karrierën e tyre profesionale. Qasja e tillë është në mes tjerash, mesazh për të rinjtë e Republikës së Kosovës, se edukimi dhe ndërtimi i kompetencave profesionale është arma e tyre e vetme, më e fuqishme dhe e duhura për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme brenda institucioneve tona”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se ky është numri më i madh i bursistëve i angazhuar në ndonjë institucion.
Ai ka theksuar se puna e bursistëve do të ndihmoj institucionet në konsolidimin e administratës publike.
“Për më tepër, angazhimi i këtyre të rinjve, është në funksion të konsolidimit të administratës publike me potenciale të reja që i duhen institucioneve, që i duhen vendit dhe që e kanë vendin në Kosovë për dallim nga emigrimi dhe ‘ikja e trurit’”, ka thënë ministri Tahiri.
/Epoka e re/