Tahiri mirëpret mbështetjen e BE-së për agjendën “Drejtësia 2020”
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur të martën në takim komandantin e operacioneve civile të Bashkimit Evropian (BE), Vincenzo Coppola, i shoqëruar nga shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, të cilët i ka falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur me BE-në dhe në veçanti me EULEX-in, që pas 10 vjetëve të mandatit ekzekutiv, tash përvojën e gjatë është duke e ndarë me institucionet e sundimit të ligjit përmes mandatit të ri këshillues.
Duke qenë se drejtësia për herë të parë është në përgjegjësinë e institucioneve të vendit, ministri Tahiri ka theksuar se ka ndërmarrë një agjendë të veçantë, “Drejtësia 2020”, së bashku me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, e cila ka marrë mbështetjen dhe vëmendjen e duhur edhe nga institucionet e BE dhe partnerëve tjerë.
Agjenda përmban një listë të gjatë të aktiviteteve konkrete që do të bëjnë institucionet publike përgjegjës për dështimet dhe sukseset në sektorin e drejtësisë, me synim të përmbylljes së tranzicionit në këtë sektor dhe rikthimin e plotë të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor.
Fokus tjetër i kësaj agjende, sipas ministrit Tahiri, është edhe fuqizimi i organeve ligj-zbatuese sidomos në përgjegjësitë që kanë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
/Epoka e re/