Tahiri: Mogherini t’i ndalë bisedimet për kufijtë, ato çojnë në jostabilitet dhe luftëra të reja
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ideja për ndryshimin e kufijve me Serbinë është kundërshtuar kategorikisht nga gjithë spektri politik dhe institucional i Kosovës.
Në një intervistë dhënë gazetës serbe “Danas”, Tahiri është përgjigjur në pyetjen se si e sheh vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Ajo ka thënë se është koha e reflektimit të BE-në, përkatësisht Federica Mogherinit si kreu i Shërbimit të Jashtëm të BE-së në kuptimin e ndalimit të diskutimeve mbi kufijtë, pasi sipas Tahirit, ato çojnë në jostabilitet dhe luftëra të reja në rajon, transmeton “Epoka e re”.
“Duke pasur parasysh se idetë e rrezikshme për ndryshimin e kufijve janë kundërshtuar kategorikisht nga gjithë spektri politik dhe institucional i Kosovës dhe publiku i përgjithshëm, unë besoj se BE-ja si lehtësuese tani është e vetëdijshme se Kosova e refuzoi këtë temë. Kjo duhet të jetë koha e reflektimit për BE-në, përkatësisht z. Mogherini si kreu i Shërbimit të Jashtëm të BE-së në kuptimin e ndalimit të diskutimeve mbi kufijtë, pasi ato çojnë në jostabilitet dhe luftëra të reja në rajon si dhe janë kundër vlerave evropiane në shtetet multietnike dhe shoqëritë gjithëpërfshirëse. Ky dialog i Brukselit mund të vazhdojë vetëm kur kthehet në binarët e duhur të vlerave evropiane për fqinjësinë e mirë, si kushtëzim kryesor për të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt integrimit evropian, ashtu sikurse përcaktohet qartë në strategjinë e BE për integrimin e gjashtë Ballkanit Perëndimor vendet në BE, të rikonfirmuar në Samitin e BE-së në Sofje këtë vit”, ka thënë Tahiri.
/Epoka e re/