Tahiri mohon se ka pasur konflikt interesi në Provimin e Noterisë

12 korrik 2019 | 00:02

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka arsyetuar mospjesëmarrjen e tij në Komisionin për Legjislacion, përkundër ftesave që i janë bërë nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Ai thotë se nuk ka shkuar në Komision pasi sipas tij, nuk kanë çka të diskutojnë për Administratën e Gjyqësorit.

Ai në “Interaktiv” të “KTV”-së, ka deklaruar se në vazhdimësi ka potencuar se Ligji i Pagave e ka diskriminuar administratën e gjyqësorit. Ai ka thënë se janë duke bërë përpjekje të sistemojmë pjesën e administratës së gjyqësorit.

Duke folur për Ligjin për Noterinë, ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka filluar procesin e rekrutimit të noterëve dhe nuk kanë çfarë të anulojnë.

“Ne kemi noter që provimin e noterisë e kanë kryer që nga viti 2011 dhe nuk e ushtrojnë këtë profesion. Republika e Kosovës i ka 74 noterë dhe me ligjin e ri numri i noterëve duhet të shkojë në 200, ani pse ky numër nuk duhet të përzgjidhet menjëherë”, ka thënë ai. Ai thotë se kërkesat nga komuniteti joshumicë janë shumë të mëdha.

Ai ka thënë se të hënën do të paraqitet në komision për t’ia shpjeguar kryetares Haxhiu se nuk ka çfarë të anulohet sepse licencimi nuk ka filluar.

Ai ka thënë se personat të cilët kanë kaluar provimin e noterisë nuk janë vetëm nga PDK-ja. Tahiri potencon se iu ka kërkuar familjarëve të tij të mos jenë pjesë e këtij konkursi, pasi që thotë se nuk ka dashur t’i përmendet emri tij dhe familjes së tij.

“Njerëzit që kanë kërkuar të jenë pjesë e këtij provimi ka qenë rreth 900 dhe ne i kemi aprovuar 600. Testi është zhvilluar për tri ditë dhe kandidatët kanë qenë jo me emra por me shifra të cilat i ka poseduar vetëm Ministria e Drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit, Nehat Idrizi ka treguar që nusja e djalit ka qenë pjesë e provimit të noterisë, por që sipas tij, ajo nuk është intervistuar nga Idrizi.

Ai tutje ka treguar se intervistimet janë kryer dhe për dy ose tri ditë do të dalin rezultatet.

Ai thotë se në këtë provim kanë qenë edhe njerëz të kabinetit dhe ministrisë së tij, ku disa nga ta nuk e kanë kaluar as fazën e parë. “Listën e personave që e kanë kaluar provimin do ta nënshkruaj komisioni dhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ai thotë se brenda një jave kanë dalë rezultatet e provimit të Noterisë, ndërkaq të premten ose të shtunën do të shpallen rezultatet e provimit me gojë.

“Nuk mundesh me ja ndalu askujt nënshtrimin në një provim të tillë. Të them të drejtën nuk kam qenë fare i kënaqur me numrin e noterëve dhe nuk mendoj që është mirë të ngutemi të i plotësojmë të gjitha pozitat e lira. Mendojë që duhet të shkojë në tri faza për një vit e gjysmë ose dy”, ka thënë ai.

Tahri ka thënë se nëse vërtetohen disa raste për konflikt interesi, Gjykata mund ta anulojë konkursin dhe jo Ministria e Drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi i njohur botërisht U2 dhe tenori Italian Luciano Pavarotti…