Tahiri: Ndryshimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë, i nevojshëm
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar të mërkurën me përfaqësues nga shoqëria civile, me të cilët ka biseduar lidhur me Projektligjin e ri për kompetencat e zgjeruara në konfiskimin e pasurisë.
Ministri Tahiri ka bërë me dije se ndryshimi i ligjit aktual është shtruar si nevojë pas vlerësimeve se nuk është zbatuar sa duhet, ndërkaq ndryshimet do të mundësojnë zbatim shumë më efikas të konfiskimit të pasurisë.
“Politikat e konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, kanë pas nevojë të rishikohen, në mënyrë që shteti ynë të dëshmojë se është i gatshëm për të konfiskuar pasurinë e paligjshme si masën më reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe si sinjal se askush nuk mund ta shfrytëzojë pasurinë e përfituar me vepër penale” ka thënë ministri Tahiri.
Duke folur për ndryshimet themelore në projektligjin e ri, ministri ka theksuar se janë larguar dykuptimësitë me normat tjera të aplikueshme siç është Kodi i Procedurës Penale, dhe po ashtu, është zgjeruar lista e veprave penale për të cilat vlen nocioni i konfiskimit, përfshirë veprat penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale të ndërlidhura me detyrën zyrtare; të atyre kundër shëndetit publik, trafikimit me njerëz, skllavërisë dhe rrëmbimit, dhe ato që lidhen me pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.
Ministri Tahiri ka mirëpritur komentet dhe propozimet e shoqërisë civile për këtë projektligj, të cilat do të përfshihen në procesin e mëtutjeshëm. Ministri Tahiri njoftoi pjesëtaret e shoqërisë civile se Projekt-Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve do të miratohen në Qeveri në mbledhjen e ardhshme.
/Epoka e re/