Tahiri: Në këtë kohë Kosovës nuk i duhen emërimet politike
Ish Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se zvogëlimi i numrit të ministrive ishte njëri ndër vendimet e kryeministrit Kurti të cilin e ka përkrahur publikisht, pasi, sipas tij, ishte edhe në përputhje me parimet e proklamuara në draft ligjin për qeverinë, i cili ishte përgatitur nga ekipi i tij gjatë kohës kur ka udhëhequr reformën shtetërore një vit më parë.
“Fatkeqësisht, tani edhe ky vendim po e humb efektin e vet pasi që kryeministri në dorëheqje po vazhdon me emërime të panevojshme politike nëpër qeveri, duke emëruar këshilltarë dhe zëvendësministra të cilët tani kur qeveria është shkarkuar nuk mund të sjellin asnjë dobi për vendin, përveç krijimit të shpenzimeve të panevojshme financiare të cilat do të rëndojnë buxhetin e shtetit. Në këtë kohë Kosovës nuk i duhen emërimet politike, por qeveri efektive që prioritet mbi prioritete e ka luftën kundër COVID-19”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/