Tahiri: Në kohën e Qeverisë Mustafa ka pasë bllokadë totale të sistemit të drejtësisë
Ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se nga dhjetori i vitit të kaluar kur ka hyrë në fuqi ligji për konfiskim të pasurisë janë shënuar rezultate pozitive.
“Sekuestrimi i pasurisë në gjashtë mujorin e parë është rritur dukshëm. Mbi 60 aseste janë sekuestruar. I kemi rritur dënimet për korrupsion. Numri i gjyqtarëve ka qenë 307 në vitin 2017 kurse tash është 430 dhe 27 janë në proces të rekrutimit. Mbi 110 janë shtuar gjatë periudhës që kemi qeverisur ne”.
“Si qeveri kemi përkrah me buxhet Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Janë dyfishuar parashkrimet edhe kjo është shumë me rëndësi. Jemi partia e vetme qe kemi adresuar çështjet”, ka thënë Tahiri, njofton “Klan Kosova”.
“Në Qeverinë Mustafa ka pasë një bllokadë totale në sistemin e drejtësisë sa i përket rritjes së buxhetit. Institucionet që menaxhojnë me drejtësinë janë kategori kushtetuese por buxhetin e kanë të varur nga politika”.
Sipas tij prej kur ka ardhur në ministri ka rritur numrin e gjyqtarëve ndërsa ka thënë se Kosovës i duhet një Gjykatë Komerciale e cila sipas tij është duke u bërë.