Tahiri: Në mes të Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston marrëdhënia e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se dyshon se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dhënë urdhër për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Sipas Tahirit këtë urdhër të Vuçiqi e ka ekzekutuar Milan Radojçiqin, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit.
“Kërkesat tona ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Milan Radojçiqin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviq i kushtoi me jetë. Në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor, ai u mor në amnisti nga presidenti Aleksandër Vuçiq. Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit”.
“Qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia herët a vonë do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi, dhe të vërtetën e faktuar nuk do të ketë regjim që do të mund ta amnistojë. Ivanoviq ishte qytetar i Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit të së cilit institucionet tona nuk do të ndalen deri në fund”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/