Tahiri në Prokurori: Dorëzova një provë të re
29 tetor 2018
| 13:32
Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri ka dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një provë të re, decizive siç e quan ai për procesin ndaj tij.
“Dorëzova një provë që e quaj decizive për procesin. Kam mbi 1 vit që dëgjoj dhe kam heshtur. Prisni edhe pak”, është shprehur Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm është shoqëruar në prokurori nga avokati i tij, Maks Haxhia, për të paraqitur prova të reja, por nuk dihet se për çfarë çështjeje, raporton “TCh”.
Krimet e Rënda kanë shtyrë hetimet për Tahirin deri në muajin janar, ndërsa më pas do të vendoset edhe fati i tij lidhur me akuzat për përfshirje në trafikun e drogës.
Më tej ai ka thënë se “nuk ka frikë”, kur është pyetur nga gazetarët nëse ai do të merret si pandehur apo jo.