Tahiri nënshkroi memorandum me ambasadorin O’Conolli për mbështetjen e reformave në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conoll, kanë nënshkruar të mërkurën marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.
Ministri Tahiri ka theksuar se tashmë faza e parë e kësaj reforme është përmbyllur, dhe pritet që edhe Strategjia e Rishikimit Funksional të jetë e gatshme në qershorin e vitit të ardhshëm.
Me memorandumin e ri, Ambasada Britanike do të mbështes me ekspertë këtë reformë, konkretisht shtyllën e funksionimit të gjyqësorit.
“Edhe kjo strategji synon fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, synon fuqizimin dhe pavarësinë e gjyqësorit, ngritjen e kapaciteteve dhe padyshim që lidhet ngushtë edhe me Agjendën që e lansuam dje ‘Drejtësia 2020’, ku qëllim është që në vitin 2020 ta kemi një sistem të drejtësisë i cili nuk ballafaqohet me sfida dhe probleme që është duke u ballafaquar tani”, ka thënë ministri Tahiri.
Ambasadori britanik, Ruari O’Conoll, ka theksuar se mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, terrorizmin e radikalizmin, është duke pasur strukturën e duhur, vullnetin e plotë politik dhe përkrahjen e fuqishme sektori i sundimit të ligjit.
Sipas tij, kosovarët duhet që të tregojnë sërish trimërinë që e kanë treguar në luftë.
“Ka ardhur koha që Kosova të jetë dhe të ndihet, që është shumë e rëndësishme, e përgjegjshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë ambasadori O’Conoll.
/Epoka e re/