Tahiri: Nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, vendin duam ta dërgojmë në zgjedhje
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare me qëllim që të pengohet puna e Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Në një deklarim për medie të enjten, ai ka thënë se nuk ka kuptim që të bëhet kuorumi për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa vendi ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian.
“Nga qershori i viti të kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e ka votuar asnjë ligj në kuadër të Kuvendit me qëllimin e vetëm që të mos krijojmë kushte që të punohet me tutje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është domosdoshme, marrë parasysh sanksionet ndërkombëtare. Ai ka thënë se Kosovës i nevojitet qeveri e re “në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga ky izolim”.