Tahiri: Nuk isha i respektuar te Vushtrria, prandaj u largova

29 janar 2019 | 11:21

Një nga heronjtë e titullit të fituar me skuadrën e Vushtrrisë në rangun elitar të futbollit në Kosovë, Petrit Tahiri, është larguar nga kjo skuadër duke u arsyetuar se nuk është respektuar sa duhet nga drejtuesit e klubit.

Portieri Petrit Tahiri të dielën e bëri publik lajmin për largim nga skuadra e Vushtrrisë, kurse të hënën për “Epokën e re” ka zbuluar arsyen e këtij largimi nga skuadra e tij e zemrës. Ai ka thënë se drejtuesit e klubit nuk i kanë kryer obligimet që kishin ndaj tij, prandaj largimi ishte i pashmangshëm. “Arsyeja e largimit është mospërmbushja e obligimeve ndaj meje që i kam pasur të cekura në kontratë. Trajtimi joserioz ndaj meje, pas marrjes së vendimit nga kryesia pa arsye, që ta shkel kontratën për të ma zvogëluar pagën, ma ka nxitur ta lë këtë ekip. Nuk është se varem nga paga e futbollit, sepse për Vushtrrinë shumë raste kam luajtur edhe pa asnjë cent si, për shembull, kemi luajtur dhjetë muaj pa pagesë dhe jemi shpallur kampionë të Kosovës. Thjesht, është në pyetje karakteri dhe krenaria ime. Ne lojtarët e vushtrrias kemi dhënë gjithçka për këtë klub dhe në disa raste jemi përbuzur për fat të keq dhe nuk kemi pasur trajtimin e duhur. Këto janë arsyet që më kanë detyruar të largohem nga klubi”, ka thënë Petrit Tahiri.

Pavarësisht se është larguar nga ky klub, Tahiri dëshiron shumë dhe beson se skuadra e Vushtrrisë mund të rikthehet në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. “Shanset janë shumë të mira për Vushtrrinë të inkuadrohet në Superligë pasi në radhët e veta ka lojtarë të dëshmuar dhe shumë kualitativë. Po ashtu, një plus i madh i saj janë tifozët e flakët ‘Forca’, edhe i gjithë qyteti i Vushtrrisë që i qëndron mbas”, ka deklaruar ai.

Portieri Petrit Tahiri ka luajtur edhe për Hajvalinë, Trepçën, Wirgesin në Gjermani. Po ashtu, ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në U19 dhe U21.

Tahiri shkon te Vllaznia e Pozharanit

Portieri Petrit Tahiri, pas largimit nga skuadra e Vushtrrisë, nuk ka humbur kohë dhe ka arritur marrëveshje me skuadrën tjetër nga Liga e Parë, Vllazninë e Pozharanit. Portieri në fjalë ka bërë me dije se me skuadrën e re synon ta sigurojë mbijetesën në rangun e garave që aktualisht bën pjesë. “Oferta kam pasur nga disa klube, por kam vendosur që në gjashtë muajit e ardhshëm të jem pjesë e Vllaznisë së Pozharanit, pasi oferta e tyre ishte serioze dhe përmbushi kërkesat e mia. Vllaznia nuk qëndron mirë në tabelë dhe synimet janë që të ngjitemi sa më lart, pra mos ta rrezikojmë rënien në një rang më të ulët”, ka deklaruar ai.

Portieri Petrit Tahiri sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e parë me skuadrën e Vushtrrisë, kurse në sezon pranveror do të luftojë me Vllazninë që të largohet nga pozita e fundit në renditjen tabelore, pasi skuadra nga Pozharani ka vetëm tetë pikë të grumbulluara.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata ndërkombëtare Transparency International ka publikuar të martën Indeksin e…