Tahiri: Nuk po shoh vendosmëri për zgjidhjen e çështjeve të mëdha
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj për mosgatishmëri për t’u përballur me tema të mëdha si demarkacioni, asociacioni dhe formimi i ushtrisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se nga kjo Qeveri nuk po sheh seriozitet e as vendosmëri për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Tahiri ka bërë thirrje të përshpejtohet integrimi evropian i Kosovës në BE dhe NATO si dhe të lobohet për njohje të reja. Ish-ministrja për Dialog ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar në çdo kohë delegacionin e ri të Qeverisë për bisedimet në Bruksel.
Ajo ka sugjeruar që gjatë dialogut me palën serbe çdoherë t’u referohen dokumenteve shtetërore të Kosovës dhe të mos dalin jashtë platformës shtetërore. Tahiri ka theksuar se vetëm njohja reciproke në mes të dy shteteve sjell paqe dhe stabilitet në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve
“Epoka e re”: Znj. Tahiri, Qeveria e Kosovës ka caktuar një delegacion të ri për bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, në të cilin ju nuk jeni përfshirë.
Tahiri: Ne kemi pasur zgjedhje të parakohshme nga të cilat është formuar Qeveria e re me aktorë të tjerë politikë, të cilët i kanë formulat për këtë proces të dialogut. Në fillim kryeministri ka qenë kundër dialogut dhe nuk i ka vlerësuar arritjet e mëdha që i ka dhënë ky proces por tani, meqenëse është caktuar një delegacion për dialog, tregon se ka ndryshim të qëndrimit të kësaj Qeverie dhe tashmë qartë vlerësojnë se Kosova e ka shtrirë sovranitetin shtetëror në veri të vendit falë këtij dialogu dhe falë punës shtatëvjeçare që kemi pasur si Qeveri më herët.
“Epoka e re”: Meqenëse e ke parë tashmë përbërjen e këtij delegacioni, në krye të të cilit është emëruar Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit, cili është mendimi juaj për këtë përbërje të delegacionit?
Tahiri: Në gjithë karrierën time politike kam qenë institucionaliste. Kam respektuar gjithmonë institucionet. Ky delegacion është vendim i Qeverisë. Ky delegacion ende nuk e ka filluar punën, meqenëse takimi i parë u anulua për shkak të incidentit të vrasjes në veri. Kurse tani nuk mund të jap ndonjë vlerësim, sepse duhet parë punën e tyre dhe tek pastaj mund t’i jap vlerësimet e mia.
“Epoka e re”: Si politikane që prej fillimit keni qenë pjesë e këtij proces, çfarë duhet të ndryshojnë delegacioni i ri dhe Qeveria e re në këtë proces?
Tahiri: Ky delegacion e ka situatën më të qartë dhe më të lehtë në një kuptim. Dialogu i Brukselit është zhvilluar mbi platforma të qarta të Qeverisë së Kosovës dhe ju e dini, unë vazhdimisht i kam pasur vijat e kuqe në këtë proces dhe ato i kemi respektuar plotësisht, për faktin se të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ky proces ka qenë dialog për fqinjësi të mirë mes dy shteteve dhe nuk ka të bëjë me tema të brendshme të Kosovës apo me statusin e Kosovës. Tani Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga mbi 100 shtete. Dhe ky dialog në këta shtatë vjet ka dhënë rezultate të mëdha. Dialogu ka qenë për ndërprerjen e ndërhyrjeve të Serbisë në teritorin e Kosovës. Ne kemi arritur që në të gjitha fushat t’i shpërbëjmë strukturat paralele. Po ashtu, kemi vendosur institucionet shtetërore në veri, sepse para këtij procesi ka pasur polici paralele serbe, gjyqësi paralele, doganë dhe kufi të mbyllur. Të gjitha këto çështje i kemi zgjidhur me marrëveshjet e Brukselit, duke shtrirë sovranitetin tonë shtetëror në atë pjesë. Po ashtu, falë këtij dialogu katër komunat veriore kanë filluar të marrin pjesë në zgjedhje. Tani gjithnjë e më shumë serbët e veriut kërkojnë të integrohen në institucionet shtetërore të Kosovës. Dihet se që nga pas lufta kemi pasur probleme në veri të vendit, por ky dialog ka mundësuar ta vendosim juridiksionin shtetëror edhe në pjesën veriore të vendit. Gjithashtu, falë këtij procesi Kosova ka marrë kodin shtetëror telefonik që nuk e ka pasur më herët. Duke qenë pjesë e këtij procesi, Kosova ka hequr shumë pengesa në anëtarësimet e organizatave rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova ka nënshkruar MSA-në dhe ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian falë këtij dialogu. Natyrisht se kjo është arritur edhe falë reformave në të gjitha fushat. E përmenda dialogun, sepse pesë vendet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e njohin Kosovën kanë votuar për integrimin evropian të Kosovës. Pra, Kosova si shtet përmes këtij dialogu ka dhënë dëshmi se është një partner serioz për stabilitet dhe paqe në rajon. Të gjitha këto janë arritje të këtij procesi. Ndërsa tani ky delegacion i ri mjafton t’i respektojë platformat shtetërore të Kosovës.
“Epoka e re”: Ka kërkuar ndihmë nga ju ky delegacion?
Tahiri: Unë e kam njoftuar me këto platforma këtë delegacion, sepse ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim. I kam treguar se të gjitha janë në uebsajtin e Qeverisë dhe kurdo që ka ndonjë pyetje jam e gatshme që me shkrim t’i kthej përgjigje. Po ashtu, në uebsajt të Zyrës së Kryeministrit është edhe platforma për fazën e fundit të dialogut.
“Epoka e re”: Çfarë parasheh kjo fazë?
Tahiri: Kosova tashmë ka paraqitur platformën për fazën finale të procesit. Në atë platformë kemi theksuar qëndrimin shtetëror, që vetëm njohja reciproke në mes të dy shteteve sjell paqe dhe stabilitet në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, si dhe paqe të qëndrueshme në gjithë rajonin. Po ashtu, kemi përmendur edhe çështjet madhore që duhet të diskutohen në këtë fazë si demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, reparacionet e luftës dhe kompensimet që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës për dëme që ia ka shkaktuar në luftë. Normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e shohim vetëm përmes njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Kjo do të mbyllte kapitullimin e armiqësisë ndërmjet dy vendeve dhe do ta hapte kapitullin e fqinjësisë. Prandaj, delegacioni i ri duhet vetëm t’u referohet dokumenteve shtetërore që janë zyrtare, sepse tani e kanë më të lehtë se i kanë të gatshme.
“Epoka e re”: Por, ende kemi disa marrëveshje që janë në proces të zbatimit dhe disa që nuk janë zbatuar fare nga ana e Serbisë. A do të duhej që Kosova ta kushtëzojë vazhdimin e këtij procesi me zbatimin e këtyre marrëveshjeve?
Tahiri: Siç e dini, në korrik të vitit të kaluar unë i kam dorëzuar një raport zyrtar Brukselit, ku është theksuar se rreth 10 marrëveshje janë të pazbatuara ose janë në proces të zbatimit. Në këtë raport kam treguar se cili shtet ka ngecur në zbatim të atyre marrëveshjeve. Shumica e këtyre marrëveshje nuk janë zbatuar nga Serbia, por disa marrëveshje edhe Kosova duhet t’i zbatojë, sepse e ka obligim. Prandaj, po them se të dyja shtetet duhet t’i kryejnë obligimet që i kanë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Në këtë mënyrë është mirë që ka rifilluar dialogu dhe duhet të ndodhë zbatimi i marrëveshjeve, e pastaj të vazhdohet me fazën finale të dialogut.
“Epoka e re”: Siç dihet, këtë pjesën politike të dialogut me Serbinë do ta udhëheqë presidenti i vendit. Mund të presim që ju të bëheni pjesë e ekipit të presidentit?Tahiri: Çështja e temave të mëdha për shtetin nuk është e lidhur me politikanë të veçantë. Me rëndësi është që kjo Qeveri të jetë e aftë dhe t’u japë përgjigje temave të mëdha. Dialogu Kosovë – Serbi është vetëm një prej këtyre temave të mëdha. Janë edhe disa tema më urgjente që populli hapur po pret të zgjidhen, çështja e liberalizimit të vizave, e cila është e lidhur me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Ndonëse kjo qeveri erdhi në pushtet pikërisht me synimin se do ta zgjidhë këtë çështje, ende nuk është e aftë të japë zgjidhje, ndërkohë kjo po e mban të izoluar Kosovën. Temë tjetër e madhe është çështja e ushtrisë. Populli është në pritje të formimit të ushtrisë. Gjithashtu, sfida mbeten zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës. Pra, këto janë detyrat e kësaj qeverie, ndërsa se kush do të jetë në ekipin e nivelit politik, ka kohë për të biseduar.
“Epoka e re”: A besoni se kjo Qeveri është e gatshme dhe mund t’u japë zgjidhje këtyre temave të mëdha: demarkacionit, asociacionit dhe ushtrisë?
Tahiri: Si politikane me përvojë, zakonisht nuk nxitohem të jap vlerësime për punën e institucioneve, prandaj edhe nuk kam dhënë deklarime mediale në 100 ditët e para të kësaj qeverie. Mirëpo, tani jemi në muajin e pestë të kësaj Qeverie, sinqerisht nuk po shoh seriozitet dhe nuk po shoh ide apo koncepte të qarta se si do të zgjidhen këto çështje nga kjo Qeveri. Po shoh angazhim të saj, por për aq sa e kam përcjell nga mediet, nuk po shoh seriozitet dhe as vendosmëri për zgjidhjen e këtyre temave. Kjo nuk do të thotë se ato nuk bëhen, por deri më tani nuk më kanë bindur se kanë fuqi për zgjidhjen e këtyre çështjeve që janë me interes shtetëror. Kosova është një shtet që tani është në prag të 10-vjetorit të pavarësisë. Gjatë kësaj periudhe ka bërë përparime shumë të rëndësishme, por ende kemi nevojë për vendime të mëdha, të cilat i përmenda. Pra, kemi nevojë ta përshpejtojmë integrimin evropian, integrimin në NATO dhe kemi nevojë për njohje të reja. Prandaj, do të kisha dashur të shoh rezultate nga kjo Qeveri. Pesë muaj nuk janë shumë, por për fillim rezultati nuk ka qenë premtues. Kjo nuk do të thotë të mos ndryshojë diçka.
“Epoka e re”: Publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të publikohet së shpejti. Shqetësimi është se kjo strategji mund të mos i ofrojë Kosovës një perspektivë shumë të qartë evropiane. Janë reale këto shqetësime?
Tahiri: Kosova domosdoshmërisht do të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të BE-së. Janë disa arsye pse kjo do të ndodhë. Së pari, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor i shërben paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Nëse BE-ja nuk do t’i përfshijë të gjitha shtetet në këtë strategji dhe nëse BE-ja nuk i detyron të gjitha shtetet t’i mbyllin çështjet e hapura bilaterale, atëherë Ballkani do të mbetet pezull dhe do të bëhet një terren për ndërhyrjen dhe ambiciet gjeopolitike të vendeve joperëndimore. Pretendimet e disa prej tyre tashmë i kemi parë hapur, siç është Rusia dhe dukuritë e radikalizmit. Pra, është koha që jo vetëm BE-ja, por edhe partnerët evropianë dhe amerikanë bashkë ta vendosin këtë strategji në mënyrë që t’ua japim mesazhin faktorëve joperëndimorë se Ballkani është rajon euroatlantik dhe tani mbrohet nga partnerët euroatlantikë. Së dyti, vetë vendet e Ballkanit duhet ta shohin interesin e tyre në integrimin evropian. Ne, Kosova, përveçse kemi shprehur qartë synimin për t’u bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s, duhet t’i kryejmë edhe obligimet ndërkombëtare që i kemi marrë. Obligimet tona janë që t’i përmbysim kriteret që janë përcaktuar nga BE-ja dhe NATO-ja. Në këtë fazë, ne kemi disa kritere që duhet t’i plotësojmë dhe sigurisht se këto obligime duhet t’i plotësojmë në mënyrë që të japim shembull se ne jo vetëm që kemi synime euroatlantike, por edhe e meritojmë këtë.
Muhamet KOCI