Tahiri: OKB-ja nuk tregoi gatishmëri për drejtësi ndaj viktimave të dhunës seksuale të luftës
Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se qysh në vitin 2014 Kosova ka dërguar një letër në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të pranuar peticionin me 115 000 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për drejtësi ndërkombëtare për gratë viktima të luftës.
Por sipas saj ende askush nga OKB-ja nuk kanë treguar gatishmërinë për të sjell drejtësinë ndaj kësaj shoqërie.
Këtë reagim ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e bëri pas rrëfimit të njërës nga të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman.
“E dashur Vasfije, sot Kosova dhe gjithë shqiptarët janë krenarë me ju – me kurajën tuaj për të rrëfyer tragjedinë personale të shkaktuar nga gjenocidi serb kundër shqiptarëve, gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia vonohet por vjen një ditë dhe kriminelët do ta marrin dënimin e merituar. Ne gjithë shqiptaret jemi me ty dhe gjithë 20 000 gratë që pësuan gjatë luftës. Në vitin 2014, ne organizuam peticionin për drejtësi ndërkombëtare për gratë viktima të luftës, të cilin e nënshkruan 115 000 qytetarë të Kosovës. Ju drejtuam me letër OKB-së/Sekretarit Gjeneral për ta pranuar këtë peticion. Ndonëse ende nuk kanë treguar gatishmërinë, një ditë do të detyrohen ta pranojnë këtë peticion dhe të angazhohen për ta sjell drejtësinë. Do të jemi me ju, do jemi zëri juaj, sepse vetëm së bashku mund t’i zbusim plagët e luftës. Sot ju shkruat një faqe të re në historinë tragjike të Kosovës dhe shqiptarëve. Liria dhe pavarësia që kemi sot, ka lindur nga lufta e sakrifica e shqiptarëve, të cilën ju e treguat me shembullin tuaj, me një qëndrim të veçantë emocional – të tillë që na bëri të gjithëve në sall të përlotemi por të ndjehemi të fortë siç ishe ti e fortë. Respekt përherë!”, ka shkruar Edita Tahiri në llogarinë e saj në “Facebook”.
/Epoka e re/