Tahiri: OKB-ja po vetëdijesohet për gratë e dhunuara në Kosovë
Drejtuesja e bordit për organizimin e peticionit “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë”, Edita Tahiri, ka bërë me dije se OKB-ja ka filluar të vetëdijesohet rreth kësaj çështje.
Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka treguar se shenjat pozitive janë parë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku përfaqësuesit e disa vendeve evropiane kanë folur për këtë çështje.
“Angazhimet tona për ta ndërkombëtarizuar dhe ngritur vetëdijen ndërkombëtare, sidomos të OKB-së, për tragjedinë e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë pasur zhvillime pozitive kohët e fundit. Në debatin që është zhvilluar në Këshillin e Sigurimit këtë javë, disa shtete kanë përmendur se çështja e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë duhet të ngrihet dhe ta marrë vëmendjen e OKB-së”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka treguar se kërkesa e këtij bordi është që sekretari i përgjithshëm i OKB-së të bëjë një raport për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe Kroaci.
“Shtetet që e kanë përmendur këtë çështje janë: Franca, Gjermania, Britania, Austria dhe Kroacia. Kjo vjen edhe si rezultat i angazhimeve në kuadër të peticionit që e kemi përgatitur si bord drejtues i grave të Kosovës, i cili ende nuk është pranuar nga OKB-ja, ani pse për këtë çështje dy herë i kemi shkruar sekretarit gjeneral të OKB-së. Pastaj kemi rritur kërkesën tonë përmes lobit rajonal të grave, ku kemi kërkuar që OKB-ja të bëjë raport për Kosovën dhe Kroacinë, sepse Bosnja përmendet në raport, por në mënyrë shumë sipërfaqësore”, ka thënë Tahiri.
Ish-zëvendëskryeministrja ka treguar edhe për personalitetet e tjera që kanë ndihmuar në adresimin e kësaj çështje. “Falë angazhimeve të bordit drejtues të grave për peticionin e Kosovës, Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore dhe të konsulles sonë në Nju Jork, Teuta Sahatqija, që është edhe anëtare e lobit, arritëm që për herë të parë çështja e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, nga forcat serbe, të përmendet nga shtetet e rëndësishme. Puna jonë dhe imja si kryetare e Lobit Rajonal dhe bordit të grave të Kosovës do të vazhdojë derisa drejtësia ndërkombëtare të vendoset, ndërsa kryesit e këtyre krimeve ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ajo ka vlerësuar se nuk do të ndalen së ndërkombëtarizuari këtë çështje derisa sekretari i OKB-së të bëjë një raport për këtë çështje.
“Mendoj se këto janë rezultatet e para të peticionit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili i dha mesazh të qartë botës se nuk mund të mbahet i fshehur ky gjenocid ndaj grave, pra i grave të dhunuara të Kosovës gjatë luftës prej forcave serbe. Në fazën vijuese ne do t’i vazhdojmë angazhimet diplomatike dhe jam e bindur se as OKB-ja në pafundësi nuk mund ta injorojë këtë çështje. Por, një ditë do të marrë vendim që të bëjë raport zyrtar për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë me gratë e dhunuara”, ka thënë ajo.
Sipas Tahirit, Organizata e Kombeve të Bashkuara deri më tani ka bërë disa raporte për dhunimin e grave gjatë konflikteve të ndryshme në botë, por asnjëherë nuk e ka përmendur Kosovën.
“Ky është raporti i tetë me radhë që sekretari gjeneral i OKB-së përgatit për çështje të grave të dhunuara gjatë luftërave, mirëpo ende nuk i ka përfshirë as Kosovën dhe as Kroacinë. Këto shtete që kanë ngritur këtë çështje jam bindur se ky proces ka marrë një rrugë të mbarë dhe ne do t’i vazhdojmë angazhimet diplomatike dhe të gjitha format e tjera për ta arritur qëllimin tonë, që është hartimi i këtij raporti nga OKB-ja”, ka thënë Tahiri.
/Epoka e re/