Tahiri: Pakoja ligjore e reformës shtetërore, edhe një hap më afër miratimit

08 tetor 2018 | 14:58

Koordinatori për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se sot Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka aprovuar pakon ligjore të reformës së administratës publike, përkatësisht Projektligjin për organizim dhe funksionim të administratës së shtetit, Projektligjin për zyrtarët publikë dhe Projektligjin për pagat.

Ai ka thënë se këto tri ligje bazike janë esenciale në rregullimin dhe qartësimin e organizimit të institucioneve të shtetit, si dhe barazisë në pagë.

Tahiri ka vlerësuar se përmbyllja e këtij procesi do të qartësojë përfundimisht funksionimin e administratës shtetërore dhe do ta kthejë atë në bazën themelore përgjatë rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian.

“Është tejet e rëndësishme që në proces të ketë debat të mirëfilltë dhe përmbajtjesor duke vendosur fokusin në adresimin e gjetjeve të evidentuara dhe mangësive në mënyrë që ky proces të shtyhet përpara. Në hapin e radhës, leximin e parë, presim të kemi vullnet të fortë dhe konsensus ndërpartiak për të përmbyllur një proces i cili siguron organizim efikas të funksionimit të shtetit, e po ashtu për të kaluar këtë ligj në Kuvend”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njeriu me fat nga kjo histori u befasua kur zbuloi…