Tahiri pas vendimit të Kushtetueses për bordin e RTK-së: Demokracia nuk është vetëm numra, është procedurë
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili e kishte kontestuar vendimin e shumicës parlamentare për shkarkimin e bordit të RTK-së, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur se shkarkimi i këtij bordi më 8 korrik 2021 ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Tahiri ka thënë se demokracia nuk është vetëm numra, është procedurë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shkarkimin e Bordit të RTK-së e dëshmoi këtë. Jam i lumtur që Gjykata Kushtetuese ka vendosur në mënyrë meritore për këtë rast, duke rujatur fundamentin e institucioneve të pavarura! E kuptoj plotësisht pjesën ku aktgjykimi nuk prodhon efekt prapaveprues, por, i inkurajoj anëtarët e bordit të shkarkuar asokohe, që të ndjekin procedurat përkatëse kundër masave linçuese të kësaj qeverie. Falenderoj kolegët deputetë me të cilët e patëm adresuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese!”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Tahiri edhe në ditën kur e kishte dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kishte besuar se vendimi i deputetëve të Vetëvendosjes ishte kundërkushtetues.
Njoftim për vendim në rastin KO 134/21