Tahiri: PDK-ja do të marrë hapa konkretë për shpërndarjen e Kuvendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tashmë e ka të qartë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përveç kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, PDK-ja e ka propozuar 9 qershorin, si opsion se kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet.
Në kontekst të kësaj, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar të premten se partia më e madhe opozitare është e gatshme për zgjedhje.
“Ne jemi partia e vetme që realisht tashmë kemi një platformë të qartë, një kandidat për kryeministër, pra e kemi mandatarin dhe e kemi propozuar 9 qershorin si datë të mundshme për zgjedhje”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë Kuvendit të Kosovës.
Tahiri është pyetur edhe për idenë e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë, Tahiri e ka lënë mundësinë e hapur që të shpërndahet Kuvendit, duke shtuar se ky duhet të jetë një vendim i të gjitha partive, përfshirë LV-së e LDK-së e AAK-së.
“Sa i përket rrëzimit të qeverisë apo mocionit të mosbesimit që u përmend, ju e dini që deputetët e opozitës prej 120 sa i ka Kuvendi, janë 42 deputetë. Duhet së paku 61 deputetë që ta rrëzojmë qeverinë, këta numra nuk i kemi dhe nuk mund të hyjmë në një procedurë që nuk mund ta realizojmë. Në anën tjetër, ne për t’i dhënë një dalje nga kjo situatë e rëndë, me nxjerr vendin nga kjo situatë e rëndë, e kemi dhënë një rrugë më të lehtë partisë në pushtet, LV-së, që ta shpërndajmë Kuvendin… Nëse ke vullnet të vërtetë nga LV-ja dhe partnerët e saj nga komuniteti joshumicë e PDK-ja janë dy të tretat. Ne preferojmë që ky të jetë një bashkëpunim më i gjerë me LDK-në dhe AAK-në… Ne jemi më se të vendosur dhe normalisht që do të marrim hapa konkret, të cilat do të çojnë deri te shpërndarja e Kuvendit”, ka thënë Tahiri.