Tahiri: PDK-ja e gatshme për zgjedhje të reja, po punojmë t’ia shkurtojmë mandatin qeverisë Kurti
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka folur fillimisht për zgjedhjet në katër komunat veriore, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për demet që ia ka sjellë Kosovës.
“Mënyra e shkarkimit të tyre pa një marrëveshje politike, përmes referendumit, e thellon edhe më tutje ndarjen ndëretnike dhe do ta vështirësojë edhe më shumë qëndrimin e atyre shqiptarëve që jetojnë në ato pjesë të Kosovës. Proces i dëmshëm në të cilin na ka sjell kryeministri Kurti. Kosova po e merr edhe një dëm më të madh në këtë proces dhe nuk do duhej me përfunduar në këtë situatë që jemi, mirëpo ky është dëmi dhe kjo është faturë që po e paguajmë si rezultat i kryeministrit Kurti”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, Tahiri ka folur edhe për bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ka bërë me dije se PDK-ja nuk voton asgjë në Kuvendin e Kosovës që nga qershori i vitit 2023.
Ai ka theksuar se PDK-ja është e gatshme dhe kërkon zgjedhje të reja parlamentare.
“PDK-ja që nga qershori 2023 nuk voton asgjë në Kuvendin e Kosovës, as marrëveshje ndërkombëtare, as ligje, përpos iniciativave të veta për arsye sepse kërkojmë që kërkojmë t’ia ndërpremë mandatin kësaj qeverie, qeverisja e të cilit është kthyer në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës. Nëse bëjmë një bilanc këto tri vjet, sukseset e saj janë të pakta, pothuajse janë të papërfillshme. Dëmin që e kemi marrë nga partnerët tanë strategjik janë të mëdha sa që kam frikën që janë të pariparueshme për një kohë të gjatë”.
“Kosovës i është ndalë ora ndërkombëtare, Kosova nuk njeh më njohje ndërkombëtare, njohjet nga shtetet tjera, Kosova nuk njeh anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, edhe Këshilli i Evropës me gjasë po bllokohet, po marrim goditje të vazhdueshme. PDK-ja nga qershori është e gatshme dhe kërkon zgjedhje. Zgjedhjet do duheshin të organizoheshin javën e kaluar. Dëmi veç po thellohet sa i përket agjendës tonë shtetërore. Jemi gati, dhe punojmë në çdo drejtim t’ia shkurtojmë jetën kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri.