Tahiri: PDK-ja i ka mundur të gjithë sa herë ka dalë në zgjedhje
Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo parti do të dalë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në Debat Plus në RTV Dukagjini Tahiri ka dhënë edhe argumentet e tij për këto deklarata.
Sipas tij, deri më tani partitë opozitare nuk kanë dhënë argumente se si do të qeverisin dhe se nuk kanë ndonjë vizion të qartë për këtë.
“Argumenti i parë është se PDK do të angazhohet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit e cila ka filluar jo tash por gjatë qeverisjes së kaluar në fuqizimin e ligjit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, argumenti tjetër është se PDK-ja ka përballë dy partitë më të mëdha opozitare të cilat janë të thyera dhe se i kanë mundur sa herë kanë dal në zgjedhje.
“LDK-ja është e thyer dhe nuk i ka fituar zgjedhjet që nga viti 2004 kjo tregon se këta nuk janë të gatshëm as për tri-katër vitet e ardhshme me marr pushtet. Ndërsa qeverisjen e VV-së e kemi parë në Prishtinë dhe në Prizren që ka dështuar e sidomos procesi zgjedhor e ka gjetur të thyer”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka theksuar se Albin Kurtin PDK-ja e ka mundur që nga viti 2011, ndërsa Isa Mustafën që nga viti 2011 e edhe në vitin 2017 pavarësisht se kandidat e ka pasur Avdullah Hotin.
Sipas tij, PDK-ja ofron një ekip të ri për ta qeverisur vendin, ndërsa Tahiri thotë se kryetari i PDK-së Kadri Veseli me këtë ekip do të krijojë Qeverinë e re e cila ofron një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës.