Tahiri për “Ballkanin e Hapur”: Aty ku mungon Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë?

09 nëntor 2021 | 14:57

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në “Report Tv” ka folur mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe nismën “Ballkani i Hapur”.

Tahiri ka thënë se pa stabilitet politik dhe të sigurisë nuk mund të ketë një zhvillim ekonomik ose tregtar në Ballkan, ndërsa shtoi se situata kërkon angazhimin e ShBA-së dhe të BE-së.

Sipas saj, kështu parandalohen zhvillimet e këqija.

Për “Ballkanin e Hapur”, ajo ka thënë se është një nismë për të mbuluar veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa theksoi se Serbia nuk ka ndryshim nga ajo e Millosheviqit.

Ajo ka folur edhe për takimin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur në Beograd me Vuçiqin në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.  Në këtë kontekst, Tahiri ka kërkuar nga kreu i qeverisë shqiptare që të mos marrë pjesë në aktivitete ku nuk është i gjithë Ballkani.

Kujtojmë se Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.  Në këtë drejtim, Tahiri ka thënë se Rama nuk do të duhej të merrte pjesë në takime rajonale ku nuk merr pjesë Kosova, e aq më pak aty ku merr pjesë Serbia.

“Rama të ndalë pjesëmarrjen në gjithë aktivitetet ku nuk është i gjithë Ballkani, kur s’është Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë”, ka thënë Edita Tahiri.

Më tutje, ajo ka thënë se Shqipërinë nuk e lidh asgjë me Serbinë që të takohen, pasi nuk kufizohen nga njëra-tjetra, e mbi të gjitha, sipas Tahirit, Shqipëria s’ka qenë në luftë me Serbinë.

“Shqipëria me Serbinë s’ka qenë në luftë. Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë. Gjërat janë të qarta”, ka thënë Tahiri.

Sa u përket raporteve Kosovë – Serbi, Tahiri ka thënë se duhet të ketë njohje reciproke në mes të dy shteteve, ndërsa ka përmendur disa prej çështjeve të pazgjidhura ndërmjet vendeve.

“Duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve, ndërsa siç është Asociacioni, kthimi i dokumenteve kadastralë, mosndërtimi i disa objekteve në pika kufitare nga Serbia, mosnjohja e diplomave dhe të tjera, duhet gjetur gjuha e përbashkët”,  ka thënë Tahiri për “Report Tv”.

Tahiri ka përmendur edhe veprimet e Vuçiqit, teksa ka thënë se Serbia e sotme nuk ka dallim nga Serbia e Millosheviqit.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia po destabilizon rajonin dhe se në bashkëpunim me Rusinë është në prag të ndarjes së Bosnjës.

“Kështu vjen projekti i ‘Serbisë së Madhe’, që duket se Vuçiqi e ka amanet nga Millosheviqi”, është shprehur Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja dhe  zyrtarja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka dalë…