Tahiri për deklaratën e Kurtit në Bruksel: Barazoi viktimat me kriminelët
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pasi ky i fundit në një konferencë për medie ka folur se si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ecin përpara duke eliminuar nga skena politike kriminelët e luftës.
Tahiri ka thënë se e gjithë bota e di se është Serbia ajo që ka kryer krime e gjenocid në Kosovës, derisa sipas tij, për kryeministrin Kurti, kriminelët e luftës nuk e kanë adresën në Serbi por janë gjithandej nëpër Ballkanin Perëndimor.
“E gjithë bota e di se Serbia ka kryer krime në përmasa të gjenocidit edhe në Kosovë edhe në Bosnje, por për kryeministrin tonë, kriminelët e luftës nuk qenkan me adresë në Serbi. Ata qenkan të shpërndarë gjithandej në vendet e Ballkanit Perëndimor, aty ku bëjmë pjesë edhe ne. Ndonëse adresa e krimit dihet, sipas logjikës së kryeministrit Kurti i bie që përgjegjësia qenka e të gjithëve, edhe e jona”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
E gjithë bota e di se Serbia ka kryer krime në përmasa të gjenocidit edhe në Kosovë edhe në Bosnje, por për kryeministrin tonë, kriminelët e luftës nuk qenkan me adresë në Serbi. Ata qenkan të shpërndarë gjithandej në vendet e Ballkanit Perëndimor, aty ku bëjmë pjesë edhe ne. Ndonëse adresa e krimit dihet, sipas logjikës së kryeministrit Kurti i bie që përgjegjësia qenka e të gjithëve, edhe e jona.
Historinë e rrejshme që Serbia po përpiqet ta instalojë si të vërtetë bashkë me argatët e saj, Kurti mbrëmë e legjitimoi si të tillë, duke mos guxuar ta thotë hapur se krime ka bërë Serbia dhe kriminelët gjenden në Serbi, e jo në Ballkanin Perëndimor si tërësi.
Ne një herë jemi çliruar nga kriminelët, me 1999, atëherë kur Kosova u çlirua nga kryekrimineli Millosheviq. Të tjerë kriminelë që s’kanë dhënë llogari, i kemi kërkuar në Serbi, aty ku edhe gjenden. Por kryeministri do që t’i kërkojmë edhe në mesin tonë, sepse të tillë i do Serbia për veten e saj.
Kjo është fatkeqësia me të cilën përballemi sot, kur kemi një kryeministër që për deficitet e komplekset e veta politike është në gjendje që heronjtë tanë t’i shndërrojë në kriminelë potencialë.
Kështu na ka dashur edhe Serbia gjithmonë. Një vend që s’ka identitet dhe ku ata që i dalin asaj përballë, të njihen si kriminelë lufte, të mos gjenden as në institucione, as në jetën tonë politike e publike.
Ai sot duhet të tregojë me emër e mbiemër, kush qenkan kriminelët e luftës në mesin tonë, që i dashka jashtë institucioneve?
Duhet të japë llogari për këtë darkë turpi, ku në vend se të kërkonte llogari për 13 mijë civilë të vrarë dhe për 1 650 të zhdukur, ai i përgjithësoi e i barazoi viktimat me kriminelët e vërtetë.