Tahiri për hapjen e ambasadës në Jerusalem: Ndër momentet më të rëndësishme të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Besnik Tahiri, të dielën në një konferencë për medie, ka shpalosur qëndrimin e shtetit të Kosovës me rastin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit, në Jeruzalem.
Tahiri ka bërë me dije se qëndrimi i Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem nuk lidhet me ndryshim qeverish, por është qëndrim shtetëror, dhe se të gjitha palët e kanë të qartë se njohja prej nga Izraeli dhe hapja e kësaj ambasade është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vitet e fundit.
Më 4 shtator 2020, është nënshkruar marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë në mes të presidentit Donald Trump dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.
Brenda kësaj marrëveshje është përfshirë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
“Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka dhënë zotimin para Qeverisë së Izraelit dhe asaj amerikane se do ta hapë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem” , ka thënë Tahiri.
Më 1 shkurt 2021, Republika e Kosovës dhe Shteti i Izraelit, përmes një ceremonie solemne (virtuale) kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Menjëherë pas vendosjes marrëdhënieve diplomatike, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, ka zbuluar edhe pllakën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, me seli në Jerusalem.
Zëvendëskryeministri Tahiri ka thënë se lidhja e këtyre marrëdhënieve diplomatike është realizuar pas shumë konsultimesh me Qeverinë e Izraelit, me administratën Trump dhe me administratën e re Biden.