Tahiri: Për herë të parë, kryeministri ka përballë një opozitë konstruktive
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që kryeministri Kurti ka një opozitë shumë konstruktive, në ballafaqim me Serbinë.
“Kemi bërë shumë mirë që i kemi dhënë mbështetje qeverisë në këtë proces, në ballafaqim me Serbinë, sepse konsideroj se nuk duhet të lidhemi me emrin e atij që na udhëheq sot, por duhet të lidhemi me procesin, sepse pa dyshim, kryeministri sot është, nesër do të ndërrohet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se si opozitë duhet të jenë të vëmendshëm që mos ta lënë kryeministrin të gaboi.
“Prandaj është hera e parë, që prej shpalljes së pavarësisë, që një kryeministër ka përballë një opozitë shumë konstruktive, kur vjen puna tek ballafaqimin me Serbinë, pra ka përballë një opozitë e cila i ka dhënë mbështetje në ballafaqimin me Serbinë, sepse besojmë se jemi duke e bërë veprimin e duhur, por në anën tjetër, duhet të jemi të vëmendshëm që të mos e lëmë të gabojë”, ka thënë Tahiri.