Tahiri për ikjen e qytetarëve: Qeveria të veprojë urgjentisht
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se statistikat e largimit të qytetarëve nga Kosova janë të frikshme.
Tahiri në seancën e Kuvendit ka thënë për dallim nga viti 2021 për vitin 2022 ende nuk dihet numri i saktë i largimit të qytetarëve.
“Kemi lexuar statistika të frikshme të largimit nga vendi. Numri i qytetarëve që kanë emigruar në vitin 2021 është rreth 42 mijë e 700 qytetarë. Ende nuk e dimë numrin e saktë në total të vitit 2022 që kanë lëshuar Kosovën. Dje lexuam shifrat e frikshme të largimit të nxënësve, po lexojmë raportimet për ikjet e mjekëve nga institucionet tona. Sot lexuam nga Oda e Mjekëve janë larguar mbi 40 mjekë vetëm këta 2 muaj”, ka thënë Tahiri.
Mes tjerash, Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për një intervistë të dhënë për gazetën franceze, “Le Monde”.
“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme. Jo vetëm për ata që nuk gjejnë punë, por edhe nga ata që kanë pasur punë e kanë mbetur pa punë. Qytetarët kanë hall si t’i mbajnë fëmijët në Kosovë e të mos largohen. Akoma më skandaloze bëhet intervista e Kurtit për ‘Le Monde’ që thotë disa largohen e të tjerët do të kthehen. Nuk mund të flasim me kaq papërgjegjësi për largimin e qytetarëve. Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjent. Të ulë numrin e të rinjve që lëshojnë Kosovën”,ka thënë Tahiri.