Tahiri për KPM-në: Presion partiak e politik ndaj një institucioni të pavarur
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në mbledhjen në të cilën ka raportuar Bordi i KPM-së, ka thënë se misioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është me zgjedh anëtarë të pavarur për të drejtuar institucionet e pavarura.
Tahiri ka thënë se vlefshmëria dhe legaliteti i vendimeve të KPM-së u nënshtrohen dhe u japin llogari vetëm një adrese – sistemit gjyqësor.
”Të kemi kujdes, të jemi të vetëdijshëm se vlefshmëria dhe legaliteti i vendimeve të KPM-së u nënshtrohen dhe u japin llogari vetëm një adrese – sistemit gjyqësor, pra gjykatave të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë këto vendime”, ka thënë Tahiri.
Fjala e plotë:
Përmbledhja e fjalës sime në takimin ku raportoi Bordi i KPM-së!
– Misioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është me zgjedh anëtarë të pavarur për të drejtuar institucionet e pavarura, pra organe kushtetuese, siç është Komisioni i Pavarur për Media.
– Sot, e them me përgjegjësi të plotë, se ne, si deputetë të këtij Kuvendi e komisioni, jemi duke e keqpërdorur misionin tonë thelbësor për t’i mbrojtur dhe ruajtur institucionet e pavarura kushtetuese.
– Thjesht, këtë takim, këtë diskurs të diskutimit e konsiderojë si presion politik ndaj një institucioni të pavarur, pra thjeshtë PRESION PARTIAK E POLITIK.
– Ju lutem, të kemi kujdes, të jemi të vetëdijshëm se vlefshmëria dhe legaliteti i vendimeve të KPM-së u nënshtrohen dhe u japin llogari vetëm një adrese – sistemit gjyqësor, pra gjykatave të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë këto vendime.
– Me këtë qasje jemi duke e dëmtuar në thelb pavarësinë, demokracinë dhe lirinë e veprimit të një organi të pavarur kushtetues.
– Dhe, për më keq, po mundohemi t’i godasim aty ku nuk bënë t’i prekim – te patriotizmi dhe dashuria për vendin. Kush jemi ne me vendos në peshore dashurinë, lojalitetin dhe besnikërinë ndaj vendit? Mos bëni kështu.