Tahiri për ndarjen e komisioneve: LV-LDK po provon vënien në kontroll të agjendës për kapjen e shtetit

10 shkurt 2020 | 16:53

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se sjellja antiligjore dhe militanteske e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, është duke e dëmtuar imazhin e demokracisë parlamentare dhe traditës shtetformuese.

Ndërsa duke komentuar ndarjen e komisioneve parlamentare, Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies.

Postimi i plotë i Tahirit:

Sjellja irracionale, antiligjore dhe militanteske e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, po e dëmton imazhin e demokracisë tonë parlamentare dhe traditës shtetformuese që kemi ndërtuar. Kjo sjellje është e papranueshme. Ajo po e mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvendin e Republikës.

Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale.

Fakti se LV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies.

Kjo ndarje e komisioneve është goditje ndaj vlerave të një demokracie parlamentare, ku opozitës po i pamundësohet mbikëqyrja e aspekteve vitale të qeverisjes.

Megjithëse me këto veprime, tendencat për “uzurpimin” e agjendës politike dhe shmangien e llogaridhënies përballë qytetarëve janë mjaft të qarta, ne si deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës do angazhohemi me çdo kusht dhe në mënyrë të pa kompromis që ky pushtet, të mos arrijë të cenojë vlerat e demokracisë parlamentare dhe të mos arrijë t’i shmanget llogaridhënies.
Rruga e tyre për bllokimin tonë në Kuvend, është rrugë qorre dhe do t’i shpie në qorrsokak.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka pritur në takim ambasadorin…